Rinis sot gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Pas pushimit dimërorë do të rifillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Seancat për vitin 2024 fillojnë, të hënën, më 15 janar, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Deri më tash janë paraqitur 38 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Në njoftimin javor të Speciales është bërë e ditur se trupi gjykues ka pranuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera, kërkesë kjo në të cilën përfshiheshin edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.