Çekia lajmëron për biletat e ndeshjes kundër Kosovës, lë vend për 627 Dardanë

Federata e Futbollit e Republikës Çeke ka njoftuar për shitjen e biletave për ndeshjen e 14 nëntorit kundër Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, duke zbuluar se 627 ulëse janë rezervuar për “Dardanët”.

Kosova do të udhëtojë në Çeki për ndeshjen e rëndësishme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020, që do të zhvillohet më 14 nëntor në stadiumin “Doosan Arena”, raporton Gazeta Express.

Ky stadium ka kapacitet prej 11,700 ulësesh, prej të cilave 627 janë rezervuar për tifozët e Kosovës. Tifozët e Kosovës duhet t’i blejnë biletat përmes Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në anën tjetër, tifozët e Çekisë mund t’i blejnë biletat për këtë ndeshje qysh nga nesër. Federata çeke ka paralajmëruar se nuk do t’ju shiten këto bileta asnjë personi që s’është qytetas i Çekisë.