Çfarë duhet të ketë parasysh delegacioni që po negocion për hekurudhat?

Përfaqësuesi Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka ndërmjetësuar dy marrëveshje parimore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në marrëveshjen e parë të arritur në Berlin, pala kosovare dhe ajo serbe ishin pajtuar për hapjen e hapësirës ajrore dhe kthimit të linjës Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas pas 21 vjetësh. Pas marrëveshjes për hapësirën ajrore, Grenell të hënën në Berlin ka mbledhë përsëri zyrtarë nga Serbia e Kosova për të diskutuar rreth marrëveshjes së radhës që ka të bëjë me linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd.

Megjithatë Gazmir Raci, njohës i çështjeve që ndërlidhen me dialogun e Brukselit, thotë se Kosova para se të nënshkruajë një marrëveshje për hekurudhat duhet të ketë parasysh disa çështje që ndërlidhen me strukturat paralele në veri, menaxhimin e hekurudhave, vijën kufitare Kosovë-Serbi

Sipas Racit duhet të shuhen strukturat paralele në pjesën veriore të Kosovës sa i përket fushës së hekurudhave.

Ai tutje thotë se Hekurudhat e Kosovës gjithashtu duhet të kthejnë gjithë rrjetin brenda Kosovës nën menaxhim të vetin.

“Hekurudhat e Kosovës ShA ta rikthejnë nën menaxhim pjesën e linjës hekurudhore në veri të Kosovës nga stacioni hekurudhor i Mitrovicës deri te stacioni hekurudhor i Leshakut, respektivisht kufiri zyrtar me Serbinë”, ka thënë Raci, shkruan Gazeta Express.

Përveç tjerash njohësi i çështjeve që ndërlidhen me dialogun e Brukselit thotë se “Duhet të respektohet vija kufitare e hyrje daljeve dhe kjo duhet të konsiderohet si parakusht për një marrëveshje bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë në ketë fushë dhe të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshjeje të përbashkët për zhvillimin e transportit hekurudhor, mallrave dhe të udhëtarëve”.

Në fund Raci ka kritika edhe për delegacionin që e ka përfaqësuar Kosovën të hënën në Berlin, duke thënë se duhet të jenë më të kompletuar.

“Delegacioni kosovar duhet të jetë më i kompletuar dhe se duhet të përfshihen në këto bisedime edhe përfaqësuesit e Hekurudhave të Kosovës por edhe të TrainKosit”, ka përfunduar Raci.

Detaje rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi për hekurudhat pritet të bëhen publike sot nga përfaqësuesi i Presidentit të SHBA’së për dialogun, Richard Grenell. /GazetaExpress/