Cili do të jetë qëndrimi i Anglisë për Kosovën pas zgjedhjes së Kryeministrit të ri?

Deri më tani, në mes të aktorëve ndërkombëtarë, ka pasur një debat herë të hapur e herë të fshehur, rreth idesë së ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga ajo se si janë shprehur publiksht, del se SHBA-të dhe Franca janë dakord që të hapet kjo temë nëse palët pajtohen. Në anën tjetër Gjermania është shprehur kundër, përderisa Italia duke mos u deklaruar hapur ka lënë të kuptohet se nuk është kundër idesë nëse palët pajtohen.

Ajo që dilte ndonjëherë nga rrethet diplomatike dhe është bërë e njohur herë pas here nga ambasadori britanik në Prishtinë Ruairi O’Connell, është se edhe Britania e Madhe nuk ka qenë pro idesë së ndryshimit të kufijve.

Sigurisht për shkak të telasheve të brendshme me procesin e Brexit-it Foreign Office nuk ka arritur ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin dhe dinamikën e duhur.

Sidoqoftë zgjedhja e Boris Johnsonit për kryetar të Partisë Konservatore e që rrjedhimisht është edhe zgjedhje për kryeministër të Britanisë së Madhe, shtron dilemën se a do ta ndryshojë kryeministri i ri qasjen britanike ndaj idesë së ndryshimit të kufijve, duke e pasur parasysh miqësinë e tij të ngushtë me Donald Trampin.

Sigurisht kryeministri i ri do të ketë prioritete të tjera e mbi të gjitha çështjen e Brexit-it, megjithatë ai do të duhet që të ketë edhe një qëndrim për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e ndryshimit të kufijve si një zgjidhje e mundshme. /Fokusi.info/