Kurti: Duke përkujtuar dëshmorët tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani si dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla, kanë bërë sot homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajziti.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se vendosën lule të freskëta tek përmendorja e heroit Zahir Pajaziti pas 26 vjetëve që komandanti Pajziti bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë.

“Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqenëse ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta. Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në të njëjtën kohë ne tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, për shtetin tonë, për pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen dhe të ardhmen është ky kujtim e ky përkujtim që bëhet si nga institucionet po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë”, tha Kurti.