Daçiq kapet me Fuqitë e Mëdha: Na keni borxh të na tregoni se a po bëni luftë biologjike me koronavirusin?

Fuqitë e mëdha na e kanë borxh një përgjigjje për origjinën e koronavirusit të ri, të na shpjegojnë se a është e natyrshme, erdhi nga ndonjë laborator apo është pjesë e ndonjë lufte biologjike – ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ish kryeministri serb theksoi se ka teori të ndryshme për këtë çështje dhe shtoi se Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit i kishte borxh një përgjigjje, raporton B92, përkthen Periskopi.

Daçiq po ashtu konfirmoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë kandidate për anëtarësim në BE, e kishin bërë një apel të përbashkët ndaj Komisionit Evropian që të hiqej ndalesa e eksporteve të pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve nga BE-ja, duke shtuar se përgjigjja pritej të vinte javën e ardhshme.

“Ne kemi problem, se edhe nëse paguajmë për pajisjen ajo mund të mos na vijë sepse shumë vende kanë bërë rregulla të reja që e ndalojnë shpërndarjen e tyre, dhe në kushtet kur keni garë të pandershme, kur disa vende porosisin miliarda maska, dhe ne i kemi dy milionë, shtrohet pyetja se sa e qëndrueshme është kjo,” tha ai.

Ai sulmoi edhe BE-në se kishte qenë jokonsistente gjatë kësaj krize.

Serbia ka më shumë se 3 mijë raste të konfirmuara me koronavirus deri tash./Periskopi