Dardan Molliqaj: Vijë të kuqe PDK-së e vijë të kuqe LVV-së. Të dyjat do të mbesin të vetmuara

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se dy partitë që do të mbesin të vetmuara në zgjedhje, janë PDK dhe Vetëvendosje.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të mbesin të vetmuara në zgjedhje. Njëra për shkak të së kaluarës, e tjetra për shkak të interesave të saja”, tha ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Sipas tij, nuk do të ndodhë as koalicioni ndërmjet LDK-së e Vetëvendosjes.

“Edhe pse e dëshiroj shumë një koalicion ndërmjet LDK-së e Vetëvendosjes, nuk pres që ai të ndodhë”, tha Molliqaj.

Ai ka përmendur dy koalicione të mundshme parazgjedhore. Sipas tij, mund të ndodhë që Nisma, PSD e AKR të shkojnë me AAK-në ose me LDK-në. Ose sipas tij, nëse këto koalicione nuk ndodhin, atëherë do të shkojë secila parti veç e veç.

Ai edhe njëherë ka ripërsëritur se aty ku do të shkoj PSD, ai koalicion edhe do të fitojë në zgjedhje.