Dardan Sejdiu deklarohet pas zgjedhjes së Kryesisë së re të PDK-së

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu ka thënë që zgjedhja e kryesisë së re të PDK-së është hap i mirë për modernizimin e politikës në Kosovë. Sejdiu që dje u përmend si emër i mundshëm i kryesisë së re të PDK-së ka thënë se kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi ka shpërfaq ambicien e tij për ndryshim të llojit të narrativës së partisë më të madhe opozitare.

Sejdiu ka shkruar poashtu se PDK dhe LDK kanë lexuar mirë rezultatin e 14 shkurtit me zgjedhjen e re të lidershipit të dy partive.

“Zgjedhja e kryesisë së re nga PDK është edhe një hap i mirë drejt modernizimit e normalizimit të politikës në Kosovë.Përbërja e kryesisë së re të këtij subjekti shpërfaq qartazi ambicien e Memlit për ecje përpara dhe potencialisht edhe për ndryshim të llojit të narrativës që PDK mund ta ndërtojë! Zgjedhjet e 14 shkurtit duket se u lexuan mirë nga dy subjektet më të mëdha opozitare”, ka shkruar Sejdiu.

Kreu i partisë, Memli Krasniqi në konferencë për media ka deklaruar dje se me shumicë votash është votuar propozimi i tij për Kryesinë e re.

Anëtarët e rinj të Kryesisë së partisë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.

Ndërkaq, sot PDK-ja ka zgjedhur edhe nënkryetarët e partisë. Katër nënkryetarët e rinj të kësaj partie janë Vlora Çitaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Uran Ismaili.

Ndërsa sekretar i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli.

“Falënderoj të gjithë dhe shpreh bindjen dhe vullnetin tim se kemi një ekip të jashtëzakonshëm. Jam i nderuar për të gjithë njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë. Rikthimi i PDK-së për të marrë besimin e qytetarëve fillon sot dhe unë kam një ekip të cilit i besoj. Në ditët në vijim do t’i shihni aktivitetet që na presin, nesër do të mbledh kryesinë për mbledhjen e parë konstituive, dhe për të vazhduar me vendime të rëndësishme që na presin si kryesi dhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka thënë Krasniqi.

Zgjedhja e Kryesisë së re të PDK-së, ka ardhur pas mbajtjes së Konventës më 3 korrik të këtij viti e ku kryetar i partisë u zgjodh Memli Krasniqi.