Hoti kritikon Qeverinë Kurti: Shtyrja e projektit të gazit ishte gabim

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti 2 se ka bërë gabim me rastin e shtyrjes së gazsjellësit si pjesë e projektit të Marrëveshjes së Uashingtonit, të cilën ai e kishte nënshkruar në pranit të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump më 4 shtator 2020.

Në një postim në Facebook, Hoti ka ironizuar me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet duke thënë se “megjithatë, mirë që po e kuptojnë se projektet e Marrëveshjes së Uashingtonit mund të shtyhen, por nuk mund të anulohen”.

“Ato projekte janë interes strategjik i Kosovës dhe SHBA-së. Duhet pasur vizion euro-atlantik për të ardhmen e shtetin e Kosovës për të kuptuar rëndësinë strategjike të këtyre projekteve. Furnizimi me gaz dhe hekurudha për Durrës janë dy nga këto projekte që do ta transformojnë ekonominë e Kosovës, siç e ka transformuar autostrada Prishtinë-Durrës e ideuar nga presidenti Rugova”, ka shkruar Hoti.

“Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, mbetet marrëveshja më e rëndësishme që ka nënshkruar Kosova që nga shpallja e pavarësisë. Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me SHBA-në”, ka shtuar ai.

Ndryshe, sot Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar nismën e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit në mes Kosovës dhe SHBA-së, të përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit për projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, përmes të cilës kanë nisur procedurat për marrjen e grantit nga MCC në vlerë 200 milionë euro për investime në sektorin e energjisë.

Ministri i Financave Hekuran Murati tha se pas të gjitha polemikave rreth projektit, sot po e paraqet nismën për përfitimin prej 200 milionë eurosh për sigurim të qëndrueshëm në energji.

Detaje rreth programit të kompaktit për gazsjellësin dha edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila tha se po shënojnë kthesë në ndërtimin e një infrastrukture të sistemit energjetik që mundëson zhvillim ekonomik.

Ndërsa, theksoi se përmes këtij programi me MCC për 15 vjetët e ardhshëm do të sigurojë balancë të qëndrueshëm për KOSTT-in.