Debat i ashpër mes përfaqësuesit të prindërve dhe Kastratit për reformën e shkollave në Kamenicë

Përfaqësuesi i prindërve të shkollës së fshatit Shipashnicë të Kamenicës, Blerim Shabani, në përballje të drejtpërdrejtë me kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastrati, është përplasur me këtë të fundit lidhur me reformat në arsim.

Shabani, në emisionin ‘Pressing’, e ka konsideruar absurd ngritjen penale ndaj tij nga kryetari i komunës, derisa ka thënë se po cënon lirinë e fjalës. Megjithatë, i pari i Kamenicës nuk ka qenë i të një mendimi, duke deklaruar se Shabani bashkë me një grup të personave kishte bërë nxitje dhune, shkruan Gazeta Express.

“E kom marrë një telefonatë nga Zyra e Prokurorit që kryetari Kastrati ka ngritur kallëzim penal për pastime të mia në ‘Facebook’. Ai dëshiron t’i cënojë edhe të drejtat më elementare. Përndryshe nuk do të marrë pjesë në këtë takim, vetëm për hir të emisionit”, ka deklaruar përfaqësuesi i prindërve në shkollën e Shipashnicës.

“Sipas neve kanë konsumu vepra penale, jo për liri të shprehjes së mendimit, por nxitje të këtilla se ky po mbyll shkolla shqipe, ky po bën shkolla të Millosheviqit, krejt kjo është në kuadër të kësja fushate. Ne e kemi ftuar prokurorinë për këtë çështje, në asnjë moment nuk e cënojmë lirinë e shprehjes, megjithatë nëse ajo përkthehet në veprim, atëherë rregullativa jonë ligjore e sanksionon këtë”, është kundërpërgjigjur Kastrati.

Shabani e ka konsideruar absurde reformën në arsim, duke thënë se nuk do të shënojë progres tek nxënësit.

“Djali jem ka me e pasë shtesë vetëm transportin, i njëjti inventar, e njëjta drrasë e zezë, të njëjtët profesora do jenë”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme protesta e mbajtur në fshatin Shipashnicë, gjatë kohës sa po dërgohej inventari për nivelin parashkollorë në shkollën e këtij fshati, protesta kaloi në dhunë.

Banorët e këtij fshati, u përballen me policinë, ku kjo e fundit u detyrua të përdorte sprej në mënyrë që të shpërndante protestuesit.