Deklarohen nga PDK, tregojnë a do ta votojnë qeverinë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës të hënën nuk do e votojë qeverinë Kurtj, dhe në asnjë variant nuk do jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Kështu tha sot për KosovaPress anëtari i kryesisë së PDK-së Enver Hoxhaj.

Hoxhaj fajtor kryesor për mos krijimin e institucioneve të Kosovës e sheh liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Madje ai tha se PDK nuk ka votë as për qeverinë e pakicës. Enver Hoxhaj i cili është edhe zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës ka thënë se Kurti ka mungesë të vullnetit për krijimin të institucioneve të reja të vendit.

I pyetur se a është e gatshme PDK për zgjedhje, Hoxhaj tha se zgjedhje nuk do të ketë.

Nënkryetari i PDK-së ka komentuar edhe vizitën e djeshme në Kosovë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell për cka tha se ai ka bërë gabim që nuk e takoi kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Derisa si gabim të dytë e renditi diskursin politik të Borrell karshi Kosovës.

Hoxhaj në këtë intervistë ka folur edhe për takimin e mbrëmshëm në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me përfaqësues të Listës Serbe.

Sipas tij me këtë takim Kurti tregoi se nuk është lider serioz.

Mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka thirrur për ditën e hënën seancë që të votohet qeveria e re.

Janë bërë dy muaj që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit por që Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë që doli në këto zgjedhje nuk ka arritur të krijoj qeverinë ndonëse ka zhvilluar takime të shumta me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Pengesë për lidhjen e një marrëveshje në mes VV-së dhe LDK-së është bërë posti i kryeparlamentarit ku që nga 26 dhjetori është zgjedhur Glauk Konjufca.