Deklarohet edhe KFOR-i: Rihapja e urës së Ibrit, vetëm përmes dialogut

Misioni i KFOR-it është deklaruar në lidhje me vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për të hapur për qarkullim urën e Ibrit. Në një përgjigje për Nacionalen, e kanë bërë të ditur se një çështje e tillë, duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Çka tjetër deklaruan?

Misioni i KFOR-it i ka folur Nacionales në lidhje me vendimin e fundit për të hapur për qarkullim urën e Ibrit.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.” – thuhet fillimisht në përgjigjen e tyre.

Tutje, në përgjigje thuhet si vijon: “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara”.

Derisa po deklarohej në një panel diskutimi në Forumin e Delfit, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, foli në lidhje me bisedimet mes dy vendeve dhe marrëveshjet e arritura më 27 shkurt e 18 mars.

“Lidhjet mes Kosovës dhe Serbisë janë sfidë e madhe…Ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në të gjithë Ballkanin, dhe lidhja e tyre shkon përtej atyre bilaterale. Kemi pasur faza të ndryshme në këtë process, pjesa e dytë e vitit të kaluar, shkoi duke menaxhuar kriza. Nuk mund as të ëndërrosh për normalizim, kur je duke larguar barrikada.” – tha ai.

Lajçak u bëri thirrje palëve që t’i shmangen veprimet e njënashme.

“Kemi një rrugë për normalizim, siç thash, shumë lehtë mund të kalohet në një krizë tjetër si çështjet për energjinë, tokat, targat – tash më e rëndësishmja është që të fokusohemi në implementim, dhe të shmangim çdo veprim të njënashëm.” – u shpreh ai.

Kur po fliste për veprimet e njëanshme, emisari evropian përmendi vendimin e sotëm për të hapur urën e Ibrit, duke e theksuar se “nuk është koha e duhur për këtë”.

“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platform e drejtë, ky plan, është një plan “win-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet.” – tha ai.

Çka ndodhi dje?

Kuvendi komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut u mblodhën në objektin e Asamblesë, për të votuar për një pikë të rendit të ditës: hapja për qarkullim të Urës së Ibrit.

E gjitha nisi pas një iniciative të asamblistes së VV-së, Aida Doli. Siç raportoi gazeta Veriu.info, me 11 pro dhe një kundër, asamblistët e këtij kuvendi komunal e kanë votuar hapjen e Urës së Ibrit.

Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe e ka kritikuar ashpër këtë vendim të Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, duke e quajtur si vendim të kundërligjshëm.

“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës.” – thuhej në reagimin e Listës Serbe.