Delawie thotë se protestat e dhunshme në Capitol Hill ia kujtojnë sjelljet e Vetëvendosjes në Kuvend

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar pas ngjarjes së pa precedent që po ndodh aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi përkrahës të Donald Trumpit janë futur dhunshëm brenda ndërtesës së Kongresit dhe kanë hedhur gaz lotësjellës.

Delawie ka thënë se pamje të tilla ia kujtojnë Kosovën e vitit 2015, kur deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin gjuajtur gaz lotsjellës për të kundërshtuar Asociacionin e Komunave dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

“Ngjarja e sotme në Capitol Hill më kujton muajt e mi të parë në Kosovë, kur disa politikanë hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit për t’i bllokuar deputetët. Ashtu si sot, politikanët ishin të gatshëm ta japin demokracinë për ta arritur pushtetin“, ka shkruar Delawie në Twitter.

“Demokracia e Kosovës mbijetoi. Kosovarët kanë synuar që shteti i tyre të jetë si SHBA-ja. Me kryengritjen e sotme, të inspiruar nga Trumpi, a do të na kenë model shtetet e tjera? Ndoshta, pasi përpjekja eshtë mposhtur. Megjithatë, unë dyshoj”, ka vazhduar më tej Delawie.

Gazi lotsjellës në Kuvend gjatë vitit 2015 ishte hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partitë e tjera të opozitës aso kohe, AAK dhe NISMA.