Deputeti i AAK-së i kërkon Konjufcës t’i largojë produktet serbe nga bufeja e Kuvendit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, i kërkoi kryeparlamentarit Glauk Konjufca që produktet serbe, të cilat shërbehen në bufenë e Kuvendit, të largohen.

Berisha në seancën e sotme një pije, pra produkt serb, ia vendosi Konjufcës tek ulësja. Po ashtu këtë produkt serb ai e vendosi edhe tek ulësja e kryeministrit, Albin Kurti.

Berisha i tha KosovaPress-it se nga Konjufca kërkoi që të mos lejojë të shërbehet ky produkt, meqë si parti kanë qenë të zhurmshëm ndaj prodhimeve serbe.

“Në bufe të Kuvendit shërbehen pije të prodhuara nga Serbia. I kërkova kryetarit Konjufca që të mos lejojë të shërbehet kjo pije, meqë si parti kanë qenë shumë te zhurmshëm kundër prodhimeve serbe. Dhe kanë qenë këmbëngulës për bashkimin e trojeve shqiptare”, tregoi Berisha për KosovaPress.