Deputetja e VV-së: Trajtimi i të infektuarve me COVID-19 është obligim i shtetit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Fatmir Mulhaxha-Kollçaku tha se trajtimi i të prekurve me COVID-19 është obligim i shtetit, gjegjësisht Qeverisë.

Ajo theksoi se në mungesë të sigurimit shëndetësor publik, sigurimi i të gjitha procedurave diagnostikuese për COVID-19, si dhe trajtimi në institucione shëndetësore publike, përfshi terapinë edhe në kushte të trajtimit shtëpiak, është obligim i shtetit, Qeverisë.

Sipas saj nuk ka justifikim për mungesë të reagensëve në laboratore publike, apo të testeve siç është testi për D-Dimer.

“PIKË!Nuk ka justifikim për mungesa të reagensve në laboratore publike, apo testeve siç është testi për D-Dimer. A e dini ju KOSTON për këtë? Apo e bëni qëllimshëm, me orientim të pacientëve në sektorin privat??Ashtu siç qëndron situata tani, po vuan familja dhe buxheti i varfër familjar”, tha ajo.

Deputetja shtoi se familjarët janë të detyruar të kujdesen për të sëmurin, sepse është e pakontestueshme që nuk ka staf të mjaftueshëm, sidomos infermierë, për përkujdesje ndaj tyre dhe se kjo është e patolerueshme!