Dëshmitari rrëfen për përleshjen me armë zjarri që ndodhi sot mes dy grupeve në Prishtinë (video)

Në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë pasditen e së martës ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas Policisë së Kosovës, kjo gjuajtje me armë ka ndodhur në mes dy grupeve. Ndërsa shkaqet se pse ka ndodhë ky rast ende nuk dihen.

Mesditën e se martës, ka pas të shtëna me armë zjarri në kryeqytet, mes dy grupeve, por pa pasoja në njerëz, përcjell Telegrafi.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, por nuk ka dhënë detaje se cila ishte arsyeja e përplasjes së armatosur.

“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, ka pas të shtëna me armë zjarri. Bazuar në të dhënat e para dyshohet se ka pas shkëmbim zjarri në mes të dy grupeve, të cilët kanë vazhduar të shtënat edhe pasi janë futur në veturat e tyre, me të cilat kanë lëvizë në rrugën e sipërshënuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por, një dëshmitar në vendin e ngjarjes thotë se pati shumë të shtëna, madje ai mendoi se kishte edhe të vdekur.

“Kam qenë duke vëzhguar në drejtim të rrugës. Përnjëherë kam dëgjuar të shtëna të shumta të revoles. Kam vrapuar vetëm për t’iu dhënë ndihmë, kam menduar se ka të vrarë. Disa janë fshehur në banjo. Ky që ka gjuajtur është futur brenda lokalit për të parë a ka vrarë dikë brenda”, rrëfen Ismajl Gjigolli për RTV Dukagjinin.

Ndërsa, policia po vazhdon hetimet lidhur me këtë rast.