Dështon fluturimi i novatorit Zapata mbi La Mansh (video)

Novatori francez Franky Zapata dështoi të enjten në përpjekjen e tij për të kaluar me një mjet fluturues Kanalin e la Manshit. Ish-kampioni i skive shpresonte të kalonte nga veriu i Francës në Anglinë Jugore në vetëm 20 minuta.

Por 40-vjeçari u rrëzua në ujë në gjysmën e rrugës ndërsa përpiqej të furnizohej me karburant. Sipas ekipit mbështetës, Zapata nuk u lëndua. Përpjekja e tij për të kaluar ngushticën erdhi në 110 vjetorin e fluturimit të parë në La Mansh nga piloti Louis Blériot në vitin 1909.

Zoti Zapata u nis nga një plazh pranë Kalesë rreth orës vendore 09:00 të së enjtes. Ai synonte të ruante një shpejtësi prej 140km/h ndërsa udhëtonte 15-20 metra mbi ujë.

“Kemi krijuar një mënyrë të re për të fluturuar. Ne nuk përdorim krahë. Ti ndihesh si një zog, është trupi yt që fluturon. Është një ëndërr fëmijërie,” u tha ai gazetarëve përpara fluturimit.

Zapata paralajmëroi se era mund ta vështirësojë fluturimin e tij.

Më herët ai zhvilloi një fluturim prove dhe mori vëmendje të konsiderueshme gjatë paradës me rastin e Ditës së Bastijes në Paris.

Platforma e tij fluturuese ka pesë motorë të vegjël.

/Ora News.tv/