Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e dala nga lufta

Ka dështuar të mbahet seanca, e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi.

Shkak për mos mbajtjen e këtij gjykimi, ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se kryetari i Komunës së Prizrenit, me parashtresë ka kërkuar nga kryetari i kësaj gjykate të shtyhet mbajtja e seancave gjyqësore lidhur me lëndët e Komunës së Prizrenit, deri sa të përcaktohet një alternativë nga Komuna për përfaqësim ligjor dhe atë brenda një afati sa më të shkurtër kohor.

Ndryshe, gjatë muajit janar kanë dështuar të mbahen një numër i madh i seancave në mungesë të përfaqësuesve të Komunës së Prizrenit, pasi që udhëheqësi i sektorit ligjor në këtë komunë, Arben Krasniqi, dhe përfaqësuesi ligjor i saj, Shqipëron Krasniqi, që nga 16 janari 2020 gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në seancën e së premtes ka munguar edhe dëshmitarja Hamdije Ademaj, për të cilën gjykatësja Skenderi, tha se ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Gjykatësja Skenderi, ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me 18 mars 2020, në ora 10:00

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).