Detaje të reja lidhur me arrestimin e hetuesve të krimeve ekonomike

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “fajde”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lëshuar urdhërarrest edhe për një hetues të krimeve ekonomike, i cili është në arrati që 24 orë. Gazeta Insajderi, zbulon se bëhet fjalë për hetuesin Faton Zabërxha.

Ai, së bashku me Arben Mustafa, kryeinspektor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Lavdim Osmani, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë e Lutfi Menxhiqi, zyrtar policor, dyshohen se janë paguar nga biznesmeni, Faton Dalladaku, për të arrestuar Ismet Osmanin e njohur si “Curri”, dhe të tjerët në rastin e fajdeve.

Hetimet deri tash po çojnë edhe në drejtim të shefit të krimeve ekonomike, Bashkim Spahiu, i cili konsiderohet si dora e djathtë e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

Lavdim Osmani, udhëheqësi i Krimeve Ekonomike në Prishtinë i cili njëherësh është edhe djali i tezës së Bashkim Spahiut, u zu mbrëmë në flagrancë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Osmani ishte duke ia marrë një qytetari 1 mijë euro, dhe në atë moment arrestohen që të dy nga IPK-ja.

Ndërkaq, sot është arrestuar Arben Mustafa, kryeinspektor në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Arrestimi i Mustafës, u konfirmuar edhe nga Drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova, i cili tregoi se ai ka qenë nën hetim edhe më herët, po ashtu ndaj tij ishte bërë edhe kallëzim penal për trafikim me qenie njerëzore.

“Sot është bërë edhe arrestimi i një rreshteri. Zyrtari i i lartë i MPB ka qenë duke u hetuar edhe më herët ndaj të cilit është bërë edhe një kallëzim penal ndaj tij për trafikim me qenie njerëzore”, ka thënë Shillova në një konferencë për media.

Përveç këtyre, gjatë ditës është suspenduar edhe zyrtari policor i Krimeve Ekonomike, Lutfi Menxhiqi, ku pak më vonë është arrestuar nën dyshime për korrupsion, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Si u arrestua Ismet Osmani – Curri dhe të tjetër nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të fajdesë dhe atë të detyrimit?

Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri” nga Mitrovica, biznesmeni Rrahim Hashimi dhe tre të tjerë ishin arrestuar nëntë muaj më parë nga Policia e Kosovës, me dyshimin se kanë kryer vepra penale të fajdesë dhe atë të detyrimit.

Insajderi ka sjellë të plota këto dyshime të prokurorisë dhe kërkesën për paraburgim kundër këtyre të pandehurve në një dokument.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, Armend Hamiti, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika përmes të pandehurit Sami Nika, në qershor 2012, ia kishin dhënë një borxh prej 350.000.00 (prej të cilave 100,000.00 euro transfer bankar dhe 250,000.00 euro në dorë), të dëmtuarit Faton Dalladakut.

Ata kishin lidhur një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë – shtëpisë, në lokacionin qyteza “Pejton-Prishtinë”, ku i pandehurit Sami Nika e kishte evidentuar në kadastër si pronë e tij, dhe duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Dalladaku, me rastin e dhënies së parave kishte kontraktuar një shumë jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit.

Po ashtu thuhet se i pandehuri Sami Nika, nga i dëmtuari Dalladaku, kishte marrë kamatë në shumë 50 mijë euro, kurse të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika në emër të gjetjes së parave nga Sami Nika, kishin marrë nga i dëmtuari Dalladaku nga 10.000 euro.

Nga fundi i vitit 2013, dhe fillimi i vitit 2014, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, sipas prokurorisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Dalladaku , kishin shtuar presion ndaj tij, ia kishin dhënë Sahit Paqarizit shumë 250,000.00 euro sepse toka prej tre hektarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj e cila kishte vlerën 600,000.00 euro ishte e Paçarizit, i cili e kishte bërë bartjen e pronësisë së kësaj toke.

Gjithashtu në dokumenti tregon se pastaj, për 600 mijë euro (250,000.00 plus 350,000.00), e kishin ngarkuar të dëmtuarin Dalladaku si “borxh i ri”, por e kishin mbajtur në posedim shtëpinë e tij sipas kontratës me të pandehurin Sami Nika.

“Pasi në fillim të vitit 2014, i dëmtuari Dalladaku kishte dështuar në kthimin e shumës prej 350,000.00 euro, i pandehurit Sami Nika në bashkëkryerje më të pandehurit Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, kishin përdorur kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin Dalladaku të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Sipas kësaj kërkese, ata kishin shkuar në lagjen “Pejton”, në rrugën “Perandori Justinian”, ku ishte prona, e cila ishte objekt i shitblerjes mes Sami Nikës dhe të dëmtuarit Faton Dalladakut, kishin hyrë në shtëpi, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kishin komunikuar me dëshmitarët Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, dhe kishin tentuar me forcë të merrnin çelësin e shtëpisë, të cilin dëshmitari Hajdaraj, fillimisht kishte refuzuar t’ua jap, por pas ashpërsisë së sjelljes së tyre, ishte detyruar t’ua jap.

Pas disa muajsh, të tre të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, e kishin detyruar të dëmtuari Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe tre hektarësh në lokacionin afër QMI, në vlerë rreth 900,000.00 euro, por për borxhin e arritur i ishte llogaritu vetëm 700,000.00 euro.

Me këtë rast, siç thuhet në kërkesë, Sami Nika nuk ia kishte kthyer shtëpinë të dëmtuarit Dalladaku, por kishte vazhduar ta mbaj edhe më tutje në emër të tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia kishte shitur Adil Thaqit, në shumë prej 260,000.00 euro.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “fajde”.

Tutje, thuhet se i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, ka kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Faton Dalladaku, që të blejë pronën pesë hektarëshe afër QMI-së, në të cilën i dëmtuari kishte një leje ndërtimi për spital e që me kapital të tij, veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700.000.00 euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Euromed”.