Detaje të reja për zyrtarin rus të UNMIK-ut që u arrestua në barrikadat serbe: Misioni i kishte kërkuar të mos largohej nga zyra

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me zyrtarin rus të UNMIK-ut, i cili ditë më parë u shpall i padëshiruar në Kosovë. Ai pengoi punën e Policisë së Kosovës përkundër që në misionin ku shërbeu ishte marrë vendim që punëtorët të mos largoheshin nga zyrat dhe vendbanimet e tyre gjatë kohës së aksionit.

Në mesazhin e brendshëm që UNMIK-u kishte shpërndarë për stafin e tij një natë para aksionit të Policisë së Kosovës në veri, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe RTV Dukagjini, punonjësve të misionit u kërkohet që të qëndrojnë në bazat e tyre ose vendbanime dhe të shmangin çdo lëvizje në drejtim të veriut të Kosovës, për shkak se do të ndodhte një operacion policor.

Por, ky mesazh nuk i kishte bërë përshtypje zyrtarit të këtij misioni, rusit Mikhail Krasnochenkov. Ai, pos që ka qëndruar në veri, ka përdorur edhe veturën zyrtare për të penguar aksionin e Policisë së Kosovës.

Mesazhi për punëtorët e UNMIK-ut para aksionit në veri

Sikur të mos mjaftonte kjo, në veturën e UNMIK-ut të përdoruar nga ai është gjetur edhe një motosharrë që kishte dyshohet se kishte shërbyer për prerjen e lisave që u vendosën në barrikadë.

Krasnochenkov ishte arrestuar me 28 maj për t’u liruar më pas. Derisa autoritetet kosovare po shqyrtonin heqjen e imunitetit të tij, ai u largua nga spitali i Mitrovicës së Veriut për në Beograd.

Me kërkesë të Kryeministrit Haradinaj, Krasnochenkov është shpallur person i padëshiruar në Kosovë.