DhSK: Dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët dëshmoi në seancë private, për shkaqe të mbrojtjes së identitetit dhe sigurisë

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, të enjten, ka deklaruar se dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët ka dëshmuar kryesisht në seancë private, por që kjo nga ana e gjykatësit është vendosur për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.

Sipas tij, dëshmitarja parë e thirrur nga Prokuroria, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, dëshmoi këtë javë me masa mbrojtëse, kryesisht në seancë private dhe se ajo u mor në pyetje nga Prokuroria dhe në vijim iu bënë pyetje edhe nga ekipet e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti, përmes këtij informimi ka thënë se të gjitha gjykimet para DhS-së janë publike, megjithatë gjykatësit ndonjëherë vendosin ta kryejnë një pjesë të seancës së gjykimit në atë që njihet si seancë private ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët, shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, ka thënë Doyle.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e Pjetër Shalës, ai ka informuar se trupi gjykues urdhëroi më 6 prill vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, kjo pasi që sipas tij, trupi gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që Shala të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera.“Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se paraburgimi vijon të jetë i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, sepse këto rreziqe nuk mund të ulen mjaftueshëm përmes zbatimit të masave të arsyeshme alternative, por vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të DhSK-së”, ka thënë ai.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.