Zv-ministri i Jashtëm: Do të jem zëri i diasporës në Qeveri për t’i adresuar kërkesat e tyre

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Bekim Brestovci, në një shkrim të gjatë të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, ka rrëfyer për shkuarjen e tij në vitin 1993 në Gjermani dhe kthimin në Kosovë për t’i shërbyer vendit.

Brestovci shkruan se qysh në ditën e parë të largimit kishte vendosur që këpucët e ikjes t’i ruaj për t’i shndërruar një ditë në këpucët e kthimit, pra për t’ju kthyer me të njëjtat këpucë atdheut.

“Tashmë, pas 25 viteve, pas shume sfidave si personale po ashtu edhe sfidave që kemi kaluar si komb, më është dhënë mundësia që të realizoj ëndrrën që kam pas ditën që kam nisë udhëtimin për të lënë Kosovën, ëndrrën që të ndjek hapat e prindërve të mi, ëndrrën për shërbim për vendin tim”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Sot, si zëvendës ministër I Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë të Republikës së Kosovës ai ka thënë se i ka disa objektiva.

“Këto objektiva mendoje besoj që do të na sjellin një hap më afër atij zhvillimi të nevojshëm të vendit tonë. Do të jemi përherë zë i diasporës në Qeveri, për cilëndo ankesë e sugjerim të tyre, unë do të jem aty që ti adresoj ato, në mënyrë që vendi ynë të jetë ai për të cilin ata bashkëatdhetarë që jetojnë jashtë, e ne që jetojmë këtu gjithmonë kemi punuar e ëndërruar. Unë do të angazhohem që diaspora jonë të jetë investitori më i madh në zhvillimin e vendit, sepse unë mendoj që ata që janë ndër investitorët më të mëdhenj të lirisë së Kosovës duhet të jenë edhe investitorët më të mëdhenj të zhvillimit të saj”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i plotë i Brestovcit:

Realizimi i premtimit, diaspora tashmë pjesë e institucioneve. Ishte viti 1993 kur unë si i përndjekur nga pushtuesi serb isha i detyruar ta lë vendlindjen time, duke përfunduar në shtetin e Gjermanisë si azilkërkues. Edhe pse ishte vështirë atë botë ta dija se kur do mund ti kthehem vendit, po dëshira e qëllimi nuk munguan, prandaj, qysh në ditën e parë të largimit tim vendosa që këpucët e mia të ikjes ti ruaj për ti shndërruar një ditë në këpucët e kthimit, pra për t’ju kthyer me të njëjtat këpucë atdheut tim.

Pra, në hapat e parë që kam marrë për të lëshuar Kosovën, po në ata hapa kam marrë vendimin për tu kthyer këtu, për të punuar e kontribuar këtu, për ti shërbyer këtij vendi, për të ndjekur hapat e prindërve të mi mësues. Ishte, ky premtimi që ia dhash vetës në atë kohë, që një ditë do të kthehem, dhe nuk do të kaloj jetën në mërgim, por do të fitoj përvojë e dije që ti shërbej vendit tim në një kohë më të mirë.

Tashmë, pas 25 viteve, pas shume sfidave si personale po ashtu edhe sfidave që kemi kaluar si komb, më është dhënë mundësia që të realizoj ëndrrën që kam pas ditën që kam nisë udhëtimin për të lënë Kosovën, ëndrrën që të ndjek hapat e prindërve të mi, ëndrrën për shërbim për vendin tim. Ëndrra për shërbim ndaj vendit nuk më është ndal as në fluksin e punës gjatë qëndrimit tim në mërgim. Gjithmonë, duke punuar për familjen në Gjermani e në Kosovë, me mundësitë që kam pas kam punuar edhe për vendin nga mërgimi.

Ndërkohë, jam involvuar dhe kam funksionalizuar Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Si drejtor ekzekutiv i Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane, organizatë kjo më e fuqishmja ekonomike e shqiptarëve në gjithë globin , më ofroi mundësinë që të kontribuoj në bashkimin e potencialit afarist shqiptarë në Gjermani por edhe të kontribuoj në krijimin e lidhjeve të afaristëve dhe prodhuesve nga Kosova me afaristët shqiptar në Gjermani, duke ndihmuar kështu eksportin e mallrave dhe shërbimeve kosovare drejt tregut gjerman.

Gjatë mandatit tim në krye të këtij organizmi, kam parë nga afër nevojat e ekonomisë së Kosovës, dhe jam munduar që të jem urë lidhëse për adresimin e këtyre nevojave. Kam iniciuar e zhvilluar shumë projekti gjatë mandatit tim në Unionin e bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Projekte këto që sado pak kanë ndikuar në sensibilizimin e diasporës shqiptare, të bizneseve shqiptare në mërgim me punëtorin e Kosovës, me prodhimin Kosovar dhe me ekonominë e Kosovës në përgjithësi. Ishte shtatori i vitit 2018 kur unë vendosa përfundimisht ta përmbushi premtimin tim, dhe me ato këpucët e ikjes së vitit 1993, bashkë me familjen time u kthyem për të jetuar dhe vepruar në Kosovë. Përderisa gjatë qëndrimit tim në Gjermani , Kosova ishte preokupimi im i vetëm, tani me kthimin tim ishte komuniteti i Diasporës ai i cili përditë e më tepër po shndërrohej në njërin nga preokupimet e mija kryesore.

Dëshira e madhe për ti kontribuar vendit tim në njërën anë, duke sjellë përvojën time jetësore nga Gjermania si dhe dëshira ime për ta përfaqësuar komunitetin e Diasporës në jetën aktive politike, në politikëbërje e në institucionet e Republikës së Kosovës më shtyri të mendoj për kyçjen time të drejtpërdrejtë në ndonjërin nga subjektet politike. Në vitin 2019, duke parë mundësin e jashtëzakonshëm që më është dhënë nga subjekti politik NISMA Socialdemokrate, jam kthyer në ëndrrën e udhëtimit tim të parë, pra më është dhënë mundësia për ti shërbyer shtetit tim, popullit tim, duke u inkuadruar edhe aktivisht në politikë.

Gjatë përpilimit të programit elektoral të NISMA-s kam dhënë idetë e mia për përfshirjen e diasporës në vendimmarrje si politike e sidomos ekonomike. Ide këto që janë përqafuar e inkuadruar në atë program. Pra, duke njohur potencialin ekonomik të diasporës shqiptare në përgjithësi e Kosovare në veçanti, kam qenë dhe jam I bindur që me një përkushtim, sinqeritet e punë të pandalshme mund të ndërrohet kahja e ekonomisë së Kosovës, duke përfituar nga mundësitë ekonomike e sidomos atdhedashurisë së bashkëkombësve tanë. Prandaj, sot jam krenar, që premtimi që kam dhënë gjatë zgjedhjeve të 2019 që diaspora do të jetë pjesë e institucioneve është realizuar.

Tashmë, ka ardh koha për të jetësuar ëndrrën, për shërbim për vendin, shërbim ky që do të jetësoj ëndrrën për zhvillim ekonomik, social e integrim të vendit tonë. Sot, si zëvendës ministër I Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë të Republikës së Kosovës I kam vënë vetës disa objektiva. Këto objektiva mendoje besoj që do të na sjellin një hap më afër atij zhvillimi të nevojshëm të vendit tonë. Do të jemi përherë zë i diasporës në Qeveri, për cilëndo ankesë e sugjerim të tyre, unë do të jem aty që ti adresoj ato, në mënyrë që vendi ynë të jetë ai për të cilin ata bashkëatdhetarë që jetojnë jashtë, e ne që jetojmë këtu gjithmonë kemi punuar e ëndërruar. Unë do të angazhohem që diaspora jonë të jetë investitori më i madh në zhvillimin e vendit, sepse unë mendoj që ata që janë ndër investitorët më të mëdhenj të lirisë së Kosovës duhet të jenë edhe investitorët më të mëdhenj të zhvillimit të saj. Pjesë e pandashme e programit politik e ekonomik të NISMA ka qenë dhe është mbrojtja e prodhimit vendor, hapja e tregjeve të reja dhe rritja e eksportit.

Në këtë aspekt është bërë një punë e jashtëzakonshme nga qeveria e kaluar, më konkretisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Në këtë aspekt, unë do të marrë hapa konkret që këtë punë tashmë të filluar ta dërgoj në një rrafsh tjetër. Fatmirësisht, vendet e BE në të cilat jetojnë një shumicë e theksuar e diasporës sonë janë edhe tregjet më të mëdha të BE, prandaj më një bashkëpunim të ngushtë me njerëzit tanë në Gjermani, Austri e pas nënshkrimit të marrëveshjes me vendet e EFTA-s edhe në Zvicër ne do të kemi mundësi që të rrisim eksportin e prodhueseve Kosovar. Sepse, duke konsumuar prodhimet tona, ndihmojmë ekonominë tonë, dhe ky do të jetë një mesazh shtesë që do të përçohet në komunitetin shqiptar në diasporë.

Ne jemi shtet I ri, fatkeqësisht kemi humbur shumë kohë në zhvillim, e kjo jo për fajin tonë, por për shkak të historisë që kemi kaluar. Tashmë, kemi mundësinë që vendin tonë ta bëjmë vetë, me djers, përkushtim e dije. Ne duhet të shfrytëzojmë kapitalin e jashtëzakonshëm njerëzor që është krijuar në dy dekadat e fundit në diasporë. Ne kemi resurse të jashtëzakonshme humane në vendet e perëndimit, të shkolluar e profesionistë në lami të ndryshme, të cilët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për zhvillimin e vendit të tyre.

Deri më tash u është mohuar kjo mundësi, prandaj, unë me kapacitetin tim do të angazhohem që kjo mundësi të jetë e hapur për këdo që do të kthehet për të kontribuar për vendin e vetë. Kosova, ka nevojë për këta të rinj e të reja të profesioneve të ndryshme, e unë do të jem aty që ti presë krah hapur, që ti përkrah e bashkërisht të qojmë përpara vendin tonë. Këto vite 20 vite në liri e 12 në pavarësi kemi dëgjuar shumë fjalë për diasporën, por asnjë nga ato fjalë e premtime nuk është realizuar. Ne kemi treguar që mbajmë fjalën e realizojmë premtimet. Emërimi im është një fakt, tashmë ka ardh koha që të realizoj ëndrrën time por edhe të shumë shokëve e shoqeve të mia në Kosovë e diasporë, t’i shërbejmë vendit ashtu siç e meriton, me gjithë kapacitetin intelektual e njerëzorë. Kemi veç një atdhe, është Kosova