Diaspora të painteresuar për të votuar në zgjedhjet e 17 tetorit

0
116

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk kanë zgjuar interesim tek mërgimtarët.

Për dallim nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt kur numri i aplikimeve nga diaspora ka kaluar mbi 170 mijë, për këto zgjedhje numri ka rënë dukshëm, shkruan FrontOnline.

18 gushti ka qenë afati i fundit kur mërgimtarët kanë pasur mundësi të aplikojnë për të votuar.

E, deri në gjysmën e ditës së mërkurë kanë aplikuar vetëm 10 mijë e 638 persona.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka treguar të dhënat përfundimtare lidhur me këtë proces.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për FrontOnline, se periudha e aplikimit është mbyllur të mërkurën dhe se ende nuk i kanë të dhënat përfundimtare.

“Më 18 gusht është përmbyllur periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aktualisht, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë futjen e të dhënave në sistem dhe regjistrimin e të gjitha aplikimeve. Pas kësaj, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikimeve dhe sa prej tyre janë aprovuar e sa janë refuzuar për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka deklaruar Elezi.

Ndërsa, të gjitha fletëvotimet nga jashtë, duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor.

Por, si po e shohin njohësit e zgjedhjeve këtë mosinteresim të diasporës, për të votuar në zgjedhjet e 17 tetorit.

Mazllum Baraliu, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për FrontOnline, se kosovarët janë popull euforik, duke shtuar se edhe këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

“Tani si duket ka kaluar euforia e madhe që ishte në dy palë zgjedhjet e fundit qendrore të përgjithshme dhe tani qytetarët në mërgatë i shikojnë punët e tyre si duket, sepse paraqitja kaq pak e tyre tregon diçka që quhet mosinteresim ose mund të konsiderohet sepse mund të mos jetë, sepse ata kanë hallet e tyre, por megjithatë mund të thuhet në thonjëza si mosinteresim i mjaftuar për atë çka po ndodhë, e si do të zhvillohet demokracia në vend  sepse në komunë pikërisht zhvillohet demokracia, në komunë zgjidhen problemet e qytetarëve, edhe të mërgatës”, është shprehur Baraliu, për FrontOnline.

Sipas tij, numri prej më shumë se 10 mijë aplikimeve është tepër i vogël, në krahasim me numrin e aplikimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Është shumë pak ky numër, do të duhej që ata të jenë sa më masovik sepse ata janë qytetarët tonë dhe do të duhej që pjesëmarrja të jetë më masovike dhe të zgjidhen më të mirët në komunat e Kosovës, ka deklaruar Baraliu, për FrontOnline.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit numri i aplikimeve nga diaspora ka qenë mbi 174 mijë aplikime.

Deri më 16 gusht subjektet politike kanë pasur afat që ti dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe asamblistë.