Dilema për mbajtjen e mbledhjeve të Qeverisë, Haradinaj i drejtohet Kushtetueses

Një ditë pas kthimit nga Haga, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka thirrur mbledhjen e rregullt të Qeverisë.

Ky vendim u kritikua nga shumë kush duke thënë se thirrja e mbledhjes së Qeverisë nuk ka bazë kushtetuese.

Madje, edhe ministrat e PDK-së u deklaruan se nuk do të jenë pjesë e kësaj mbledhje – ndonëse sot shumica prej tyre ishin pjesë e saj.

Por, duket se edhe vet kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dilema nëse ka të drejtë ose jo ta thërrasë mbledhjen e ekzekutivit, prandaj ai ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk mbahet një takim i Qeverisë derisa i shpall dikush zgjedhjet edhe mund të hymë në ndonjë vakim që unë nuk guxoj ta mbajë përgjegjësinë e mosveprimit”.

“Unë marr obligim që mos ta lëmë vendin në vakum qeverisë. Edhe në shkresat e mia kam thënë që marrim obligim që të mos lejojmë vakum qeverisës deri në formimin e qeverisë së re”.

“Meqënëse është qëndrim këtu që ka mendime të ndryshme se a kemi bazë ligjore ose jo për mbajtjen e mbledhjes së Qeverisë, më duhet t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese që të na japë një sqarim”.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse ne mbajmë përgjegjësi funksionale, jo vetëm politike”.