Dorëzohet në polici personi që rrahu për vdekje 50 vjeçarin në Ferizaj

B.Sh i cili rrahu për vdekje një person në fshatin Bibaj të Ferizajit, është dorëzuar së fundi në Policinë e Kosovës.

B.SH më 22 shkurt në një pompë derivatesh, kishte goditur me grusht 50 vjeçarin, ku si pasojë e plagëve të rënda nga sulmi fizik, personi kishte ndërruar jetë.

Ai sot është dorëzuar në Polici dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.

“Lidhur me rastin e lartëshënuar,ju njoftojmë se sot me 02.03.2021 rreth orës 17:30, B.SH.(m/Kosovar) i dyshuari i cili ishte larguar nga Republika e Kosovës, në prezencë të avokatit mbrojtës është paraqitur në Sektorin e Hetimeve Rajonale në Ferizaj ku i njejti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, thuhet në komunikatë.

“Për motive ende të panjohura i dyshuari ka goditur me grusht në kokë viktimën (m/Kosovar 50 vjeçar)i cili ka ra me kokë në asfalt dhe nga ana e të dyshuarit është dërguar në ambulancë dhe i njejti –i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.Viktima,pas marrjes së ndihmës së parë është dërguar për në QKUK-Prishtinë ku rreth orës 00;45 nga ana e mjekut jemi njoftuar se viktima kishte ndërruar jetë”, thuhej në komunikatën e dërguar nga policia.