Drejtori dhe ish-zyrtari i Ansamblit “Shota” do të gjykohen për punësimet në këtë institucion

0
229

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, pas shqyrtimit të kërkesave për hudhje të aktakuzës, ka marr aktvendim që drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj të gjykohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë edhe për ish-zyrtarin e këtij ansambli, tani të pensionuarin Nazmi Demaj, i cili po ashtu akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjocaj dhe Demaj pretendohet se gjatë periudhës 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishën dhe Luljeta Shala–Lushtaku, nuk kanë hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata të punës, në mënyrë të kundërligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky vendim i gjykatës, ka ardhur pasi që dy të akuzuarit kishin parashtruar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kishin bërë kundërshtimin e provave për këtë rast.

I akuzuari Gjocaj, gjatë shqyrtimit të dytë, tha se gjithmonë do ta ndjej veten të pafajshëm pasi që ai ishte personi që kishte luftuar keqpërdorimet në ansamblin “Shota”, e në fund ka përfunduar si i akuzuar.

“Unë i kom ndalu iniciativat e ministrave me pru njerëz me i punësu pa pikë baze e pa konkurs në ansambël, e unë vi ktu e akuzohem”, shtoi i akuzuari Gjocaj.

Ai tha se kjo aktakuzë ndaj tij, ishte ngritur me pretendime të pabaza të kundërshtarëve që siç ka thënë ai, synonin të vinin në postin e tij.

“Kur atyne s’iu ka dhez kërkun, jon shku e kan gjet një mik aty në agjenci, edhe më kanë akuzu mu për diçka që nuk e kom bo, sepse punësimi i koreografëve dhe punëtoreve në këtë ansambël është bërë që më shumë se 20 vite në mënyrë të njëjtë”, tha Gjocaj.

Kërkesë për hudhje të aktakuzës kishte paraqitur edhe i akuzuari Demaj, i cili tha se nuk e ndien veten aspak fajtor dhe se kishte punuar 40 vite në ansamblin “Shota”, ku kishte parë mbi 20 koreografë që ishin punësuar në mënyrën e njëjtë, me atë që ishin punësuar të gjithë.

Në fund, prokurori Arian Gashi tha se i ka pranuar kundërshtimet e palëve, mirëpo prokuroria mban pozicionin që këto kërkesa të hudhën poshtë nga ana e gjykatës dhe që gjykata sipas tij, të vazhdojë me gjykimin e këtij rasti.

Pas dëgjimit të palëve në procedurë, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, mori aktvendim me të cilin refuzoi kërkesat e të akuzuarve Gjocaj dhe Demaj për hudhje të aktakuzës.

E njëjta tha se gjykata do të vazhdojë me gjykimin e këtij rasti, ku do të shqyrtohen të gjitha provat e propozuara nga ana e prokurorisë, ndërsa njoftoi palët se mund të prezantojnë edhe prova të reja që shkojnë në favor të tyre.

Hasaj-Hyseni tha se gjykata këtë vendim e ka marrë duke pasur parasysh edhe peshën e veprës penale dhe provat që për momentin i ka prezantuar prokuroria.

Për këtë, u deklarua avokati i të akuzuari Gjocaj, Abdullah Hoti, i cili tha se do të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës  në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, për këtë rast më 24 dhjetor 2019, ishte mbajtur seanca fillestare, ku dy të akuzuarit kishin mohuar fajësinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” Shefqet Gjocaj dhe ish-zyrtarit Nazmi Demaj.

Prokuroria ata i ngarkonte me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që në periudhën 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishen dhe Luljeta Shala – Lushtaku, nuk kanë hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata në mënyrë të kundërligjshme me ta si punëmarrës.

Në aktakuzë thuhet se Gjocaj, në cilësinë e drejtorit, në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me punëmarrësit, Ismet Bogujevci, Xhemail Berisha dhe Luljeta Shala- Lushtaku.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Demaj akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë për kohë të pacaktuar  për kryerjen e punëve specifike me punëmarrësin, Xhemail Berisha.