Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë: Ulja e Kurtit në bankë i hedh benzinë zjarrit

Samir Shahini, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se për të rifilluar procesin mësimor nuk mund të flasin as me instruktorët e as me drejtorët në nivel komunal.

“Nuk guxojmë të kemi një konsultim në nivel komunal as me drejtorët e as me mësimdhënësit, ku kërkojmë që të jemi uniform dhe t’i rikthehemi procesit mësimor apo të jemi uniform dhe të qëndrojmë. Fushë Kosova prapë sot u bë shembulli më i mirë i kësaj. Është shumë e natyrshme që prindërit të kërkojnë të rikthejnë fëmijët e tyre në shkollë dhe në këtë formë është vendosur. Një konsultim të gjerë nuk mund të kemi, sepse konsiderojë që bie ndesh me ligjin për greva, i cili i mbron grevistët gjatë kohës sa ata janë në grevë”, tha Shahini.

Ai foli edhe për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në një shkollë dhe kohën e kaluar në bankë, duke i cilësuar këto veprime të pakujdesshme.

“Ndoshta është jashtë kompetencave të mia të komentojë, mirëpo nuk ka qenë hap i duhur, aq më pak në momentin kur është realizuar. Në një kohë skenar tjetër, në një kohë tjetër, vizita e kryeministrit dhe ulja e tij në bankë, i cilës do parti qoftë ai, do të ishte një gjest mjaftë i bukur, mirëpo në një kohë kur i hedh më shumë benzinë zjarrit, duke e thelluar barrikadimin midis dy grupeve, pra qeverisë dhe SBAShK-ut, konsiderojë që ka qenë e pa menduar mirë”, tha ai po ashtu.