Drejtori i Bujqësisë në Podujevë: Kurti po rrezikon shëndetin e qytetarëve duke organizuar tubime

Vezir Januzi, drejtor i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, e ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për organizime tubimesh partiake në periudhë pandemie.

Januzi ka vënë në pah rritjen e numrit të rasteve në Podujevë, teksa ka thënë se veprime të këtilla rrezikojnë jetën e qytetarëve të Llapit.

“Në kohë pandemie, kur numri i rasteve të infektuarve me Covid-19 në Komunën e Podujevës po rritet çdo ditë në shifra alarmuese, kur institucionet përgjegjëse të shëndetësisë kanë marrë vendime për t’i ndaluar takimet me më shumë se pesë persona, mjeranët po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, madje edhe të fëmijëve, duke organizuar tubime në të cilat nuk respektohet asnje masë mbrojtëse”, ka shkruar drejtori komunal.

“Nuk e meritojnë besimin ata që nuk e kursejnë as shëndetin e qytetarëve vetëm për ta tentuar pushtetin”, ka shtuar tutje ai.

Kurti besohet të ketë shkuar për fushatë zgjedhore në Podujevë, ku nga partia e tij do kandidojë për kryetar komune Shpejtim Bulliqi.