Drejtori sportiv i Werder Bremenit sqaron situatën e Rashicës

Werder Bremen mori një vendim drastik dhe nuk lejoi asnjë lojtar të bashkohej me kombëtaret në grumbullimin e nëntorit. Viktimë e këtij vendimi ishte edhe Rashica, që nuk do të jetë me Kosovën në ndeshjet ndaj Shqipërisë, Sllovenisë dhe Moldavisë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur drejtori sportiv i klubit gjerman, Frank Baumann. Ai shprehet se vendimi nuk është marrë për arsye teknike, por sepse klubi ka menduar për shëndetin e skuadrës.

“Të luajturit me ekipet kombëtare i ndihmon lojtarët të rrisin vlerën e tyre në merkato. Qëndrimi i tyre këtu është diçka e mirë për ne sepse mund të punojmë në krijimin e skemave të reja. Në një tjetër situatë do donim t’i linim të gjithë. Thirrjen në kombëtare unë e konsideroj si një çmim për punën tonë.

Arsyeja pse lojtarët i mbajtëm në klub lidhet vetëm me shëndetin e tyre dhe jo sepse duam të stërvitemi të gjithë. Kishte shumë fjalë në lidhje me vendimin tonë, që nuk i kaluam lehtë. Nuk duam të na infektohen lojtarët. E dimë rëndësinë e kombëtareve për lojtarët”, përfundoi Bauman.