“Duhet t’i lutemi Zotit të shkojë kjo Qeveri sa më shpejt”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është e vështirë të identifikohet një sukses i vërejtshëm i Qeverisë Kurti.  Deputeti u shpreh se askush nuk ka punuar më mirë për serbët sesa kryeministri Albin Kurti.

Haradinaj shtoi se duhet “të lutemi që kjo qeveri të largohet sa më parë”.

“Jemi fajësuar ashpër nga shtetet e QUINT-it për refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë”, theksoi Haradinaj.

“S’kemi reciprocitet. E kishin humbur tregun në kohën e taksës. Po e rikthejnë tregun. Zoti Kurti thotë se Vuçiq është aleat i carit të Rusisë, me të thënë të drejtën ne po ia lehtësojmë blerjen e atyre armëve prej Rusisë. Unë kisha gjykuar cilat masa do ta ekuilibronin një marrëdhënie tregtare. Ky (Kurti) e ka hequr taksën, dhe ia jep Serbisë 300 milionë euro treg. Kërkush ma mirë se ky nuk ka punuar për serbët”.

“Duhet t’i lutemi Zotit që të shkojë kjo qeveri sa më shpejt”.

“Ne sot jemi fajësuar në mënyrën më të ashpër nga QUINT-i, është kërcënim serioz, edhe për viza edhe për aspiratën tonë euro-atlantike. Kjo është një situatë interesante. Kurti ka dhënë deri në 40 milionë euro për energji në veriun e Kosovës”.

”Vështirë të identifikohet një sukses i matshëm i Qeverisë Kurti, ka ndonjë veprim aty-këtu dhe unë e kam përshëndetur rastin e fondit për sigurinë, pasi që vetë kam qenë iniciues dhe mbështetës i këtij fondi”, deklaroi ai në Klan Kosova.