Dy vjet burg i kushtëzuar ndaj të akuzuarës që pranoi se ishte pjesë e ISIS-it

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në grupin terrorist, ISIS, Qëndresa Sfishta.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, të akuzuarës nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, e akuzuara Sfishta, është ngarkuar edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale në shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Gjykatësi Konxheli, bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

E akuzuara Sfishta, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Florije Shamolli, është deklaruar se ndihet fajtore për veprën penale e cila i vihet në barrë dhe e njëjta ka deklaruar se është penduar për këtë.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Shamolli, me arsyetimin se pranimi i fajësisë është i plotë dhe në përputhje me provat materiale që gjenden në aktakuzë.

Po ashtu, ky pranim fajësie është mbështetur edhe nga mbrojtësja e të akuzuarës Sfishta, avokatja Flutura Hoxha, e cila ka kërkuar që me rastin e shqiptimit të dënimit të merren rrethanat lehtësuese, pasi që e njëjta kishte shkuar në Siri pas insistimit të bashkëshortit të saj dhe se është nënë e dy fëmijëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Qëndresa Sfishta, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, e akuzuara Sfishta, me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, e cila ka shkuar në Siri, dhe i është bashkëngjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj, me qëllim që duke luftuar që të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike, sociale dhe të krijojnë “Shtetin Islamik”.

Në aktakuzë thuhet se më 15 prill 2015, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës kishte vendosur t’i bashkëngjitet luftës për “Shtetin Islamik”, ajo së bashku më bashkëshortin e saj, me një veturë “Taxi”, nga Prishtina, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, kanë shkuar në aeroportin e Shkupit, nga ku kishin udhëtuar për në Turqi, dhe pastaj në Siri.

PSRK-ja pretendon se e akuzuara Sfishta, duke përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave 200 dollarë, nga “Shteti islamik”, i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj, i cili aktivisht ka luftuar, ku gjithë kohën kanë ndërruar vendbanimin, duke kaluar nga Siria në Irak, dhe anasjelltas, derisa ISIS-i, ka pësuar disfatën e plotë, dhe kanë qenë të detyruar të dorëzohen tek forcat kurde, ku pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 22 prill 2019. /BetimipërDrejtësi/