E hëna, ditë vendimtare për koalicion qeverisës në mes VV-së dhe LDK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot i ka dërguar letër zyrtarisht liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për t’u takuar të hënën, më 6 janar në orën 15:00.

Kjo është hera e katërt që presidenti i dërgon Kurtit letër duke e ftuar që të diskutojnë rreth mandatarit për krijimin e qeverisë.Kurti edhe pse ditë më parë ka pranuar të takohet me Thaçin sot nuk ka dhënë ndonjë deklarim rreth kësaj çështje.

Ndërkohë, nuk dihet nëse është arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi më nuk janë takuar, të paktën në publik.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të VV-së nëse do mbahet ndonjë takim me LDK, të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Nga ana tjetër, LDK ka ftuar Kryesinë e partisë të mblidhen të hënën në orën 9:00 para takimit Thaçi-Kurti.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila ishte edhe kandidate për kryeministre nga kjo parti, deklaroi se do të ishte një gabim historik për vendin nëse nuk arrihet marrëveshje me Vetëvendosjen.

“Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri. Por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosje. Si bartëse e listës e LDK-së dhe përfaqësueses e votuesve e kam për detyrë që ta dërgoj vullnetin qytetar deri në fund. Do të insistoj deri në fund”, ka thënë Osmani.

Marrëdhëniet në mes VV-së dhe LDK-së janë acaruar kur më 26 dhjetor në seancën konstituive të Kuvendit, Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për kryeparlamentar pa dijenin e LDK-së.

Edhe pse Grupi Parlamentar i LDK-së ka votuar pro Konjufcës për kryetar të Kuvendit, liderit të partisë, Isa Mustafës u duk se i ka mbet hatri.

“Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit.

Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet t’i takojë Kryeparlamentari me marrëveshje”, deklaroi Mustafa.

Pasi që Kurti tha se LDK më cakton takimin dhe krjimin e qeverisë së re, Mustafa në përgjigjen e tij tha se kjo çështje i takon Vetëvendosjes pasi është partia e parë në zgjedhje. Të dy liderët, për këto çështje komunikuan vetëm përmes rrjeteve sociale dhe mediave.

Se a do të shkojë Kurti në takim me Thaçin me një marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në mbetët të kuptohet të hënën pas takimit. /Lajmi.net/