E konfirmon Policia: Dy persona të plagosur nga arma e zjarrit në Prishtinë, arrestohen dy të dyshuar

Të shtëna me armë janë dëgjuar sonte në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Si pasojë e të shtënave janë plagosur dy persona nga arma e zjarrit.

Lajmin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 19:45, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë ai.

Sipas tij, të plagosurit janë dërguar në QKUK.

“Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri”, ka shtuar ai.

Borovci, ka treguar se dy persona janë arrestuar nga policia nën rrethana që ndërlidhen me ngjarjen, ndërkaq vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.​