E pranon Mimoza Kusari-Lila: Vështirë të arrihet marrëveshja VV-LDK

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, konsideron se ka ngecje në procesin për arritjen e marrëveshjes në mes LDK-së e LVV-së. Sipas saj, në këtë fazë, të dy partitë janë larg formimit të koalicionit.

“Ashtu siç i kemi parë, për momentin nuk ka progres në bisedimet LVV – LDK. Procesi ka ngecur dhe partitë i kanë të shprehura pozicionet e tyre të cilat për momentin duken se kanë vështirësi të përafrohen”, ka deklaruar Mimoza Kusari-Lila në një intervistë të shkurtër për Periskopin.

Sipas Kusarit, marrëveshja për bashkëqeverisje nuk mund të arrihet përmes deklaratave në distancë, e postimeve në Facebook, por duke u ulur në tavolinën e bisedimeve për të shprehur pozicionet e tyre të dyja palët, qoftë edhe reflektim në gabimet e mundshme në hapa.

“Zgjidhja nuk mund të arrihet me deklarata në distancë dhe as përmes diskutimit në studio televizive apo me statusa në Facebook. Zgjidhja për ngërçin e krijuar arrihet në tavolinën e bisedimeve me krijimin e urës së besimit të ndërsjelltë dhe qartësim të pozicionit të dy palëve për hapat e deritanishëm, qoftë edhe nëse ka reflektime të gabimeve të mundshme në hapa në procesin negociator”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo është shprehur e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se në vazhdimësi partia e Albin Kurtit e ka informuar me ecurinë e procesit të negociatave me LDK-në , ndërsa ka thënë se edhe ajo ka dhënë mendimin e saj për këtë çështje.

“Unë jam e ftuar në të gjitha takimet formale të Grupit Parlamentar të LVV ku edhe është diskutuar ecuria e procesit të negociatave për formimin e Qeverisë. Gjithashtu, aty unë paraqes mendimin tim apo sygjerimin për hapat përpara. Bashkëpunimi deri më tani është në nivelin e pritshmërisë në kuadër të Grupit Parlamentar”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, refuzon t’u besojë deklaratave publike të zyrtarëve të LDK-së të cilët kanë lënë të kuptohet se në rast të mos arritjes së marrëveshjes me LVV-në, LDK do të shikojë edhe për opsione të tjera për të bashkëqeverisur. Kusari-Lila beson se vendimi për një gjë të tillë merret vetëm në nivele të larta të partisë.

“Ka edhe deklarata tjera nga zyrtarë të LDK-së të cilët përjashtojnë bashkëpunimin me partitë tjera përveç LVV, andaj nuk do të isha ndalë në deklarata të përveçme por në qëndrimin zyrtar të LDK-së të marrë në forumet zyrtare”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka folur edhe për marrëveshjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Thotë se përfshirja direkte e ShBA-së në procesin e negociatave me Serbinë është kërkuar kaherë, dhe se angazhimi i Richard Grenell, përfaqësuesit special të presidentit të ShBA-së Donald Trump në këtë proces është për t’u mirëpritur.

Ajo ka thënë se duhet qartësuar nëse në hapjen e linjës ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohen fluturime nga vetëm një kompani e fluturimeve, apo për të gjitha fluturimet që kanë destinacion Kosovën.

Ajo e quan të arritur të madhe për qytetarët e Kosovës, në rast se funksionalizohet në tërësi shfrytëzimi i ndërsjellë i hapësirës ajrore.

“Në vazhdimësi krerët e Kosovës kanë kërkuar përfshirjen e SHBA-vë ne procesin negociator me Serbinë. Me direkt se kaq nuk mund të kishim përfshirje, kemi përfaqësuesin special të Presidentit të SHBA-ve në këtë proces. Mendoj se është e rëndësishme të sqarohet hapja e hapësirës ajrore në mes të dy vendeve, a bëhet vetëm për një aviokompani, apo për të gjitha fluturimet të cilat destinacion kanë Kosovën. Në rast se funskionalizohet në tërësi shfrytëzimi i ndërsjelltë i hapësirës ajrore, atëherë mund të themi se flasim për një të arritur të madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë udhëtarët të cilët udhëtojnë për në Prishtinë dhe jashtë Prishtinës”, është shprehur Kusari-Lila.

Kujtojmë se kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila i ishte bashkuar listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur në Kosovë më 6 tetor.

Ajo ka siguruar 22 mijë e 131 vota, duke u bërë kështu pjesë e legjilaturës së Vll të Kuvendit të Kosovës.