E pranon ministri serb Lajiq: Kosova mund të hiqet nga Kushtetuta e Serbisë

Pas vizitës që realizoi në Kosovë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi mundësinë për një referendum ky qytetarët serbë do të votonin për zgjidhjen e problemit me Kosovën. E një referendum do të ishte i pashmangshëm sipas ministrit të Tregtisë në Serbi, Rasim Lajiq.

Lajiq ka pranuar indirekt se zgjidhja me Kosovën mund të jetë duke ndryshuar preambulën e Kushtetutës së shtetit serb.

“Nëse preambula kushtetuese që i referohet Kosovës do të ndryshohet, një referendum do të ishte i detyrueshëm”, thotë Lajiq, transmeton lajmi.net

Sipas ministrit serb një referendum i mundshëm për Kosovën do të ishte mundësi që qytetarët të shprehin lirisht dhe në mënyrë demokratike zgjidhjen e propozuar nga politikanët.

Ai thekson se “përgjegjësia nuk do të largohej”, duke aluduar në përgjegjësinë që do ta barte secili zyrtarë shtetëror.

Lajiq thotë se një zgjidhje eventuale është e vështirë duke pasur parasysh polarizimet ndërmjet dy vendeve.