E tmerrshme: Vajza e mitur që u zhduk në Fushë Kosovë u drogua dhe u dhunua nga një person

Dhunimet janë rastet më të tmerrshme që po ndodhin në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre viktima janë vajzat e mitura, të cilat shfrytëzohen e keqtrajtohen seksualisht. Javën që po lëmë pas, Sinjali ka raportuar për disa ngjarje të tilla, por edhe një rast tjetër u zbulua gjatë ditës së djeshme dhe detajet janë mjaft tronditëse. Këtë herë, një vajzë përveç që dyshohet se u dhunua, sipas informacioneve të para, ajo u detyra edhe të konsumojë substanca narkotike. Rasti dyshohet se ka ndodhur në një motel të Fushë Kosovës, raporton Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se personi që po dyshohet për këtë rast është një 21-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor. Sinjali mëson se i njëjti dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 16-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur për më shumë se 1 javë.

Por si u zbulua dhe cilat janë detajet e trishta?

Vajza fillimisht ishte raportuar e zhdukur nga një familjare e saj më 18 nëntor, e cila njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmën e Policisë për ta gjetur mbesën e saj, për fatin e të cilës nuk dihej asgjë. Viktima, e cila jeton me një familjare, pasi prindërit janë ndarë që një kohë atë ditë u largua nga shtëpia dhe askush s’kishte informacione se ku gjendej.

Gjatë kësaj kohe, vajza dyshohet se ka qëndruar në motelin “Berati” në Fushë Kosovë, ku dyshohet se e ka keqtrajtuar seksualisht. Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë rast është se derisa i dyshuari është shoqëruar me viktimën, të njëjtën dyshohet se e ka droguar, duke e detyruar të konsumojë substanca narkotike, nën ndikimin e të cilave më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Përveç drogës, i dyshuari i ka dhënë të miturës edhe alkool, që më pas ta shfrytëzojë gjendjen e saj, për të abuzuar me të.

Tmerri që ka përjetuar vajza ato ditë, u zbulua kur ajo u gjet gjatë ditës së djeshme dhe rrëfeu para zyrtarëve policorë se çfarë i kishte ndodhur në motel, ku dyshohet se u dhunua nga i riu 21-vjeçar.

Ky rast i tmerrshëm aktivizoi Prokurorin e Shtetit, që urdhëroi të sigurohet prezenca e të dyshuarit dhe arrestimi i të njëjtit. Pasi u kap nga Policia, i riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori ka lëshuar aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe të nisin hetimet për mbledhjen e informacioneve që zbardhin në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.