Eksperti i ekonomisë: Tërheqja nga TRUSTI duhet lejuar, 100 eurot e ndara nga Qeveria janë injorim për qytetarët

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, ka thënë se pak ka gjasa që të kalojë në Kuvend plotësim-ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen e një përqindje të mjeteve nga Trusti Pensional.

Në një prononcim për Demokracia.com, Kadrijaj ka thënë se që nga fillimi, ai vetë ka qenë pro tërheqjes pasi që gjendja ekonomike po rëndohet edhe më shumë.

“Vlerësoj që komisioni ka vlerësuar drejt që të debatohet në Kuvend dhe aty shihen qëndrimet si të opozitës dhe pozitës, por duke qenë dëshmitar ka pak gjasa që të kalojë, sepse mazhoranca parlamentare dhe Qeveria nuk kanë disponim, njëherit janë komod me numra. Unë që nga fillimi kam qenë pro tërheqjes si rezultat i gjendjes ekonomike, që sa vjen e rëndohet, do të ishte një infuzion ekonomik për qytetarët”, ka thënë ai.

Kadrijaj ka përmendur deklaratat e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, për të cilin thotë se siç duket i ka mjaftuar ndarja e 100 eurove për të punësuarit.

“Qeveria deri më tani nuk ka dhënë sinjale pro tërheqjes, duke u bazuar në deklaratat e ministrit të Financave, deklarohet që është i mjaftuar me ndarjen e 100 eurove, pra Qeveria është kundër”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Ai tutje ka shtuar se nëse kjo nuk votohet, qytetarët duhet të kërkojnë përkrahje nga Qeveria, pasi sipas tij, ndarja e vetëm 100 eurove është injorim për kosovarët.

“Nëse deputetët përfaqësojnë qytetarin, vlerësoj që qytetari pa dallim të ngjyrimit politik, pritshmëritë i kanë të mëdha në lidhje me tërheqjen e mjeteve të Trustit. Pra, Qeveria nuk përfill kërkesën e qytetarëve. Vlerësoj që qytetarët duhet të kërkojnë përkrahje nga Qeveria. Pra, Qeveria nëse mendon që ka kryer obligim ndaj qytetarëve me ndarjen e 100 eurove është gabim dhe njëherit edhe injorim për qytetarin”, ka thënë ai.

Ndryshe, opozita në Kosovë po kërkon që të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti, si një ndihmë për qytetarët, raporton Demokracia.com.

Megjithatë, një gjë e tillë është kundërshtuar fuqishëm nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Qeveria së fundmi ka ndarë nga 100 euro shtesë për të punësuarit e sektorit publik dhe ata privat, për pensionerët, ata që janë në asistencë sociale dhe për studentët.