Familjarizmi: E propozuara për Auditore të Përgjithshme del motra e këshilltares së Albin Kurtit

Presidentja Vjosa Osmani ka propozuar dje (të enjten, 5 gusht 2021) znj. Vlora Spanca për pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës. Periskopi merr vesh dhe konfirmon se znj.Spanca, është motra e këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, znj.Valbona Mehmeti.

Kuvendi i Kosovës, sot me kërkesë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, ka provuar që ta fus në pikë të rendit të ditës votimin e propozimit të Presidentes Vjosa Osmani, për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm, e që është znj.Vlora Spanca.

Lidhur me këtë propozim kanë qenë kundër deputetët e opozitës, duke thënë se ‘nuk e kuptonin se pse kjo pikë të futej me kaq nguti’. Deputetët opozitarë patën kritika edhe lidhur me mbledhjen e jashtëzakonshme të ftuar sot nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave, pikërisht për këtë temë.

“Po, unë jam motra e këshilltares së kryeministrit Kurti [Valbonas].” – ka thënë ajo përmes bisedës telefonike me gazetaren e Periskopit.

Periskopi ka marrë vesh se znj.Vlora Spanca është motra e këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, znj.Valbona Mehmeti, përkatësisht drejtoreshë e Komunikimit në zyrën e Kryeministrit.

Për ta konfirmuar një gjë të tillë, Periskopi pyeti znj. Vlora Spanca për një gjë të tillë dhe ajo e pranoi.

Procezi i përzgjedhjes së kandidatit për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm nuk ka shkuar pa kritika. Një nga kandidatët për këtë pozitë, z.Ujkan Bajra, ka thënë se ‘nuk është marrë parasysh propozimi i Komisionit Profesional’ lidhur me këtë çështje, e që sipas tij, ‘do të duhej të ishte vendimi që nxjerr kandidatin fitues për këtë pozitë’.

“Vjosa Osmani, sot i keni propozuar Kuvendit të Kosovës një grua për Auditor të Përgjithshëm. Eshte e mirepritur!

Por sot, publiku mashtrohet dhe manipulohet me këtë lajm dhe sigurisht që nuk pasqyrohet si duhet situata. Propozimi i komisionit profesional që u krijua me vendim formal dhe në bazë të të cilit duhet të vendoset, nuk është marrë parasysh, kështu që po vërehet se mungon meritokracia dhe transparenca në lidhje me ketë proces. Nëse do të kishim respekt për vlerat shoqërore, përgaditjen profesionale të individëve, kontributin shkencor e akademik, gjithçka është në rregull por në publik dhe media ne shohim sjellje të kundërta me veprimet praktike të njëanshme, politike dhe aspak transparente qe ndërmirren. Pse të mos publikohet raporti i komisionit dhe të shohim se cilët janë kandidatët me më së shumti pikë të vlerësuar e të propozuar për auditor nga komisioni profesional. A lejohet ndokush të diskriminohet në bazë të gjinisë, moshës ose fesë? Mendoj se jo, por lajmi i Presidentit të Kosovës pos qe nuk përfill propozimin e komisionit, ai përcjell mesazh diskriminues dhe paragjykues…., andaj nuk do koment!”, ka shkruar z.Bajra në profilin e tij në Facebook.

Vetëm 57 deputetë kanë votuar pro që të futej si pikë e rendit të ditës, votimi i emrit të propozuar për Auditor të Përgjitshëm, rrjedhimisht, duke pamundësuar futjen në rend të ditës të kësaj pike.

Qeveria Kurti po përballet me kritika për nepotizëm që prej kur ka marrë detyrën.

Ndër punësimet familjare që spikasin 100 ditëshin e Qeverisë Kurti janë: axha i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, z.Rabit Konjufca në Ministrinë e FSK-së. Babai i shoferit të ministrit Arben Vitia, i emëruar në pozitën e anëtarit të Bordit të ‘Ibër Lepencit’, nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, z.Gësim Tosuni, u emërua mbikëqyrës në Agjencinë për Akreditim dhe së fundmi, motra e ministrit Liburn Aliu, znj.Suljota Aliu, u emërua në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve.