Fjalimi i plotë i Hashim Thaçit në Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është deklaruar para gjykatësve të Speciales. Thaçi tha se pret që në fund të procesit gjyqësor të shfajësohet nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

Ai i ka thënë trupit gjykues se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e luftës, por ka shtuar se viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit.

Gjatë deklaratës së tij të bërë pa betim në gjykatore, Thaçi ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ky është fjalimi i ish-presidentit Hashim Thaçi:

Sot jemi duke nisur një rrugëtim së bashku, një rrugëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë.

E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemeli i të gjitha demokracive dhe themeli i paqes.

Me lejoni të shfrytëzoj këtë moment, të tregoj se ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike.

Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndiqet nga një padrejtësi tjetër.

Unë jam i pafajshëm për të gjitha akuzat, jam gati të përballem me këtë sfidë dhe të kem sukses për familjen time, popullin e vendin tim.

Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Isha student në Zvicër, si i strehuar politik, kur u masakrua familja Jashari më 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim. Kushdo që do të ishte në vendin tonë, do të bënte të njëjtën gjë po tu hiqej liria.

UÇK përbëhej nga njerëz të thjeshtë, vullnetarë që përpiqeshin të mbrojnë familjet e tyre. Ata luftuan dhe vdiqën si heronj.

Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën të dashurit e tyre në qindra masakra të kryera nga forcat serbe.

Kundërshtarë tanë ishin ushtria, policia dhe paramiltarët serbë të kalitur në fushatat e tyre të vrasjeve në Bosnjë.

Si rezistenca paqësore, ashtu edhe ajo e armatosur, kishin të njëjtin synim: Lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik. Pa atë rezistencë gjithëpopullore, Kosova nuk do të ekzistonte sot.

Qytetaret e Kosovës nuk donin luftë, ata ishin të përcaktuar. Lufta iu imponua.

Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës. Pra, ne ishim në anën e drejtë të historisë.

Sot jam i lumtur që populli i Kosovës jeton i lirë dhe i pavarur. Kosova është rrëfim suksesi.

I nderuar turp gjykues,

Gjatë këtij procesi ne do të udhëtojmë prapa në kohë, në ngjarje që kanë ndodhur 25 vjet më parë. Mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngarkohet me agjenda të ndryshme, Spekulimet po shndërrohen në fakte. Gjithashtu emocionet apo mllefet politike nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë.

Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne, jo çdo bashkëluftëtar ka qenë bashkudhëtar apo bashkëmendimtar në proceset e pasluftës. Në raste jo të pakta, ambicia, egoja personale, tejkaloi të vërtetën për rrëfimin për UCK-në. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë. Por, ne kemi një dëshmi historike të faktuar në atë kohë. Ne duhet të kthehemi tek ato dëshmi se aty do të zbulohet e vërteta.

Më vjen keq që nuk do të mund të dëgjojmë dëshmitë e sekretares Albright, sekretarit Roobin Cok, ambasadorit Richard Holbrook, presidentit Ibrahim Rugova, të Adem Demacit dhe liderëve të tjerë.

Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam bërë e thënë gjatë asaj kohe të rëndësishme.

Jam i lumtur se shumë të tjerë, si ata vendorë e ndërkombëtarë, janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë time.

Ne në Kosovë e dinim. Ne në Kosovë e kemi mbështetur drejtësinë ndërkombëtare.

Kur raporti i Dick Martyt mbushi titujt e mediave me akuza të sajuara për trafik të organeve, unë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetojë në mënyrë të pavarur.

Bota tani e di se sot, si rezultat i këtij procesi, nuk kishte trafik organesh dhe se Shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë.

Unë, UÇK dhe populli i Kosovës, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur.

Unë pres të shfajësohem nga çdo akuzë në përfundim të këtij procesi.

Kjo është gjykata e katërt pas Hagës, UNMIK, EULEX dhe Dhomat e Specializuara. Unë jam intervistuar nga të gjithë këto mekanizma ndërkombëtarë, çdo bashkëpunim i imi ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent. Gjithçka që thuhet tjetër është e paqëndrueshme. Kam besim se ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë.