Forcimi i lekut – BSH: Ishte normal, pasqyroi faktorë ekonomikë

Forcimi i lekut në vitet e fundit është në përputhje me faktorët themelorë makroekonomikë. Në një analizë të re për kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e kursit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë.
Forcimi i lekut në vitet e fundit është në përputhje me faktorët themelorë makroekonomikë. Në një analizë të re për kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e kursit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë në tregun e brendshëm financiar. Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ilustrohet nga ngushtimi i qëndrueshëm i deficitit të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe nga hyrja e lartë e valutës në vend, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, por edhe në formën e remitancave.
Gjithashtu, normat e ulëta të interesit të valutës kanë rritur interesin për të kursyer në lekë, qoftë në formën e depozitave apo në atë të letrave me vlerë të qeverisë. Rritja strukturore e ofertës së valutës ka përcaktuar trendin forcues të monedhës vendase.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë vitit të kaluar dhe sidomos në 6-mujorin e parë, forcimi i lekut ishte më i fortë se ritmi i përmirësimit të faktorëve të mësipërm.
Forcimi i kursit pasqyroi zhvillime specifike të tregut të brendshëm valutor, të lidhura me konvertimin e kapitalit në disa banka të sistemit, me disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BERZH-it, si dhe me krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. Këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm, të kërkesës dhe ofertës për valutë.
Vijimi i forcimit të lekut me ritme të përshpejtuara do të rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm, ndaj Banka e Shqipërisë vendosi një ndërhyrje të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në tregun e brendshëm valutor. Ndërhyja arriti të stabilizojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, krijoi premisat për funksionimin normal të tregut valutor.