Fotografitë për blerje: A po e kopjon Albin Kurti, Hashim Thaçin?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot me mëngjes, bashkë me fotografin e tij, ka dalur për blerje teksa këtë e ka ndarë edhe me publikun. Një gjë të ngjashme, e kishte bërë edhe Presidenti Hashim Thaçi para 6 vitesh, kur ishte shef i Qeverisë së vendit. Në këtë rast shtrohet pyetja se a ka qenë kjo e rastësishme, apo kopjim i këtyre veprimeve.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Presidenti, Hashim Thaçi përgjatë viteve në skenën politike janë parë si rivalët më të ashpër mes vete.

Kjo është dëshmuar edhe më shumë këtyre ditëve kur të dy palët kanë hedhur akuza të ndryshme ndaj njëra-tjetrës, teksa partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e dërgoi në Kushtetuese dekretimin e Avdullah Hotit si kryeministër nga ana e Presidentit Thaçi.

Ani pse Kurti e sheh si rival, nga opinioni publik disa veprime të tij shihen paksa të ngjashme me ato të Thaçit, madje, edhe si kopjim, shkruan Gazeta Metro.

Kështu, përmes një shkrimi në rrjetin social Instagram, Kryeministri në detyrë sot u kujdes të tregojë se ka dalur për blerje sipas orarit të numrit personal për shkak të pandemisë COVID-19.

“Ne 5-shat, sipas shifrës së parafundit të numrit personal, e kemi orarin e paraditës prej orës 9:00 deri në 10:30. Bleva perime e pemë, bukë e djath, qumësht e vezë, lëngje vishnje e rrepe. Ka shumë më tepër prodhime vendore sesa që përgjithësisht mendohet.

I falënderoj të gjithë këta punëtorë të shitoreve për respektin dhe shërbimin ndaj neve konsumatorëve, për kujdesin dhe pastërtinë në lokalet e tyre.”, ka shkruar ai.

Mirëpo, diçka të ngjashme e kishte bërë kohë më parë edhe Presidenti Thaçi. Në vitin 2014 kur ishte Kryeministër ai kishte publikuar një fotografi duke bërë blerje, shkruan Gazeta Metro.

“Tregu i lagjes sonë ka mjaft produkte të freskëta vendore. Zoti e bekoftë këtë tokë tonën. Për shkak të obligimeve, nuk më bjen shpesh të dal me Lumen, por ka ditë kur thjesht kam dëshirë të ndaj kohë bashkëshortes dhe shtëpisë. Drekat dhe darkat në shtëpi janë më se të mirëseardhura. Pas tregut koha është për kafen e mëngjezit,”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.

Çuditërisht, në fotografitë e publikuara nga vet ai, Kurti shihet në sektorin e perimeve, aty ku pikërisht ishte edhe Presidenti Thaçi.

Nuk dihet nëse kjo është diçka e rastësishme, apo Kryeministri me të vërtetë po tenton të kopjojë diçka nga profili i Presidentit.

Ndryshe, marrëdhëniet mes dy akterëve kryesorë politikë në vend u theksuan edhe më shumë kur Thaçi kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, teksa Kurti thoshte se nuk ka nevojë për një veprim të tillë.

Pas kësaj, Qeveria Kurti vendosi masa të ashpra për qytetarët duke vendosur orë policore, të cilën Presidenti e dërgoi në Kushtetuese e që më vonë, nga Gjykata u vërtetua se ka pasur shkelje nga ana e ekzekutivit.