Franca dhe Gjermania paralajmërojnë Rusinë për “pasoja serioze” në lidhje me Ukrainën”

Franca dhe Gjermania paralajmëruan Rusinë për “pasoja serioze” nëse përpiqet të minojë integritetin territorial të Ukrainës, mes shqetësimeve për një grumbullim të madh ushtarake në kufirin e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e jashtëm të të dy vendeve, Jean-Yves Le Drian dhe Heiko Maas, u takuan me homologun e tyre ukrainas Dmytro Kuleba në Bruksel në margjinat e një takimi ministror të Partneritetit Lindor, një forum që synon të përmirësojë marrëdhëniet tregtare, politike dhe ekonomike të shteteve post-sovjetike: Azerbajxhanit, Ukrainës, Bjellorusisë, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Armenisë.

Takimi i tyre vjen mes shqetësimeve se Moska po përgatitet për një pushtim të mundshëm të rajonit kufitar të Ukrainës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pohuar se Rusia ka grumbulluar rreth 100.000 trupa në kufi.

Të shqetësuar me grumbullimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake, Le Drian dhe Maas i bënë thirrje Rusisë “të marrë një qëndrim të kufizuar dhe të jetë transparente në lidhje me aktivitetet e saj ushtarake”.

“Çdo përpjekje e mëtejshme për të minuar integritetin territorial të Ukrainës do të kishte pasoja të rënda”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga të dy ministrat.

Kjo është hera e dytë që nga prilli që Ukraina përballet me një krizë sigurie në kufijtë e saj me Rusinë.

Për të qetësuar situatën, Franca dhe Gjermania i kishin propozuar Rusisë që të bashkohej në bisedimet me Ukrainën nën “Formatin ekzistues të Normandisë”, i cili u përdor në vitin 2014 për të zgjidhur konfliktin e Donbasit. Megjithatë, Moska e refuzoi ofertën.

Duke shprehur shqetësimin për përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, të dy ministrat i kërkuan edhe një herë Rusisë të rifillojë dialogun e përbashkët dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjen e Minskut.

Pasi forcat ruse pushtuan Donbasin dhe aneksuan Gadishullin e Krimesë në vitin 2014, Franca dhe Gjermania së bashku me Ukrainën udhëhoqën iniciativën për të hyrë në bisedime me Rusinë. Kievi dhe Moska dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nënshkruan Protokollin e Minskut për të zbatuar një plan paqeje dhe për t’i dhënë fund luftimeve. Por marrëveshja ka dështuar të arrijë sukses pasi Rusia vazhdon të mbështesë rebelët në luftimin e trupave të qeverisë ukrainase në Donbas.