Murati për faljen e tatimit në pronë: Lehtëson barrën e qytetarëve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se u takon komunave që të vendosin nëse duan të falin një pjese të tatimit në pronë.

Murati, potencoi se Obiliqi, Graçanica dhe Drenasi janë komunat që e kanë miratuar faljen e një pjesë të tatimit.

“Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë”, ka shkruar Murati.

“Si Qeveri, kemi hartuar ligjin e ndryshuar, dhe ligji është miratuar në Kuvend”.

“Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo”.

Ministri i Financave, shtoi se deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022.

“Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”.