Franca fillon testimet për të parë nëse nikotina parandalon infektimin me COVID-19

Derisa ende nuk është zbuluar vaksina kundër COVID-19, në shtete të ndryshme të botës të cilat janë goditur në masë të madhe nga pandemia kanë filluar studime dhe hulumtime rreth parandalimit të infektimit me koronavirusin COVID-19.

I till është edhe studimi i fundit i bërë në Francë sipas të cilit nikotina mund të parandalojë infektimin me COVID-19 dhe mund të përdoret për kurimin e të prekurve me një virus të tillë, shkruan France 24, trasnmeton Gazeta Express.

Një zbulim i tillë vjen pasi në spitalin e Parisit, mjekët kanë konstatuar se nga numri i përgjithshëm i të shtruarve në atë spital të infektuar me COVID-19, vetëm 5 % janë duhanpirës.

“Në mesin e këtyre pacientëve, vetëm pesë përqind ishin duhanpirës”, ka thënë Zahir Amoura, bashkëautor i studimit dhe profesor i mjekësisë rreth sëmundjeve të brendshme.

Një studim i tillë ka bërë jehonë duke qenë se të dhëna të ngjajshme ishin publikuar muajin e kaluar edhe në “New England Journal of Medicine”, ku konstatohej se në Kinë në 1000 të infektuar vetëm 12.6 % ishin duhanpirës.

Kjo ishte një shifër shumë e ulët krahasuar me faktin se nga numri total i popullisë në Kinë, 26 % e popullatës janë duhanpirës të rregullt (Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, trasnmeton Gazeta Express.

Sipas teorisë së neurobiologut nga Instituti i Francës Pasteur, Jean-Pierre Changeux, i cili është edhe bashkëautor i studimit thuhet se nikotina mund të ngjitet në receptorët e qelizave dhe si rezultat mund të bllokojë hyrjen e virusit në qeliza dhe përhapjen në trup.

Studiuesit francez tashmë janë në pritje të aprovimit nga autoritetet shëndetësore në Francë për të kryer prova të tjera klinike.

Ata planifikojnë që provat ti kryejnë me punonjësit e spitalit Pitie-Salpetriere në Paris, për të parë nëse nikotina do t’i mbrojë ata nga kontraktimi i virusit.