Ftesa për intervistim e ish-prokurores së EULEX-it, flasin nga Prokuroria e Prishtinës

Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh pas konferencës së mbajtur sot në Prishtinë është ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në një përgjigje për Demokracia.com nga prokuroria e Prishtinës kanë thënë se ftesa është dërguar për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së saj viteve të kaluara.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj konfirmoi se ish-prokurores Bamieh iu është dërguar ftesa pas konferencës së sotme për media.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Prishtine për shkak të pa mundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve te kaluara, i ka bere ftese për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit te konferencës së sotme”, tha Ulaj për Demokracia.com.

Po ashtu edhe ish prokuroria Maria Bamieh e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” se ka pranuar ftesë sot pas konferencës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që ka kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar Bamieh.

Ndryshe, ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar sot në një konferencë për media në Prishtinë ka njoftuar në detaje rastin e saj gjatë kohës sa ishte në EULEX dhe me sfidat me të cilat është përballur nga koha kur kishte filluar të sinjalizonte se diçka nuk ishte në rregull.

Bamieh para gazetarëve në Kosovë tha se si një prokurore në Britani të Madhe me përvojë ndërkombëtare ishte caktuar për të ardhur në EULEX.