Gashi: Përfshirja amerikane mund ta kthejë dialogun në prioritet për Kosovën dhe Serbinë

Publicisti Drilon Gashi tha, në një intervistë për ‘Edicionin Special’ në Klan Kosova, se përfshirja amerikane në dialogun Kosovë-Serbi mund ta kthejë në prioritet për palët e përfshira.

“Porosia e tyre e parë. Simbolika e ardhjes së tyre bashkë është se BE-ja dhe SHBA-ja po bashkëpunojnë ngushtë në vazhdimin e dialogut dhe në fazën tjetër të dialogut. Kjo mund të jetë për dy arsye për shkak të investimin më të madh të SHBA-së në dialog, duke mos ia lënë vetëm BE-së. Kjo mund të jetë edhe për arsye se dialogu ka arritur në një ngërç. Nuk po ecet në momentumin që po dëshirohet nga palët e jashtme dhe përfshirja amerikane mund ta kthejë në prioritet për Kosovën dhe Serbinë. Mesazhi i parë është bashkëpunimi BE-SHBA”.

Gashi tha se me këtë rast Lajçak dhe Escobar kanë kërkuar edhe intensifikimin e dialogut pas zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi në muajin prill.

“Mesazhi i dytë është nevoja për të rinisur dialogun dhe jo për të pasur hamendje se kur do të ndodhë takimi i radhës, qoftë të nivelit të lartë, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq apo të grupeve teknike të niveleve më të ulëta”.

“Pas zgjedhjeve që Serbia do të ketë në prill që të intensifikohet dialogu dhe të trajtohen çështjet e mbetura si: çështja e fatit të të pagjeturve apo edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”.