Gashi – VV’së: Votimi kundër komisionit jep shenja s’e diçka po fshihni

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se komisioni për hetimin e menaxhimit të krizës energjetike do të bëhet, deshën apo nuk deshën nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se mosvotimi i krijimit të këtij komisioni jep shenja se diçka po tentohet të fshihet.

Gashi ka thënë se askush nuk mund t’ua mohojë deputetëve të drejtën e shprehjes së mendimit të tyre.

“Votimi është e drejtë e deputetit, por po harroni se nuk mundeni me mbajt fshehtë, sepse komisioni ka mu ba, i mbledhim 40 nënshkrime, në daç çoni emrat, në daç jo. Çka ke e papranueshme këtu? Çka ke e patolerueshme? Mund të jetë e mirë si punë. Nëse ka diçka me fsheh, votimi kundër jep indicie që ky komision patjetër duhet mu ba”, tha Gashi.

Ai, po ashtu, ironizoi edhe me ministrin Hekuran Murati, i cili tha se krijimi i këtij komisioni paraqet vetëm humbje kohe.

“Po më vjen keq për kohën e çmuar ministër, që i humb do kohë me debate palidhje që po i quan ti. Kuvendi është në sovranitetin e vet. Nuk mund të flisni kështu. Ky komision do të formohet. E vërteta do të dalë dhe nuk ka gjë që e ndalë. Krejt çka bonët është që u koritët”, tha Gashi.

Me vota 23 për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Këtë iniciativë të PDK-së nuk e votuan deputetët e pushtetit, deri sa kreu i GP-së të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallë.