Vendimi i qeverisë që njeri prind të jetë në pushim, pas pak pritet të ketë sqarime të detajuara

Qeveria e Kosovës para dy ditësh në lidhje me situatën e krijuar pas shpalljes të coronavirusit si pandemi globale, nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka marrë një vendim me disa masa parandaluese.

Si masë e parë në këtë vendimi, është kërkuar që të bëhet ndërprerja e procesit mësimor në të gjitha nivelet deri më datën 27 mars, e po ashtu është rekomanduar që nëse të dy prindërit punojnë, njëri nga ta të lirohet nga puna.

Duke qenë rekomandim, ky edhe mund edhe s’mund të zbatohet, duke krijuar kështu vakum në zbatueshmërinë e tij. E për këtë janë shfaqur pakënaqësi të shumta në mesin e punëtorëve si të sektorit privat ashtu edhe atë publik.

Përkitazi me këtë çështje , për IndeksOnline, ka folur Erzen Vraniqi, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti.

Vraniqi, tha se gjatë ditës së sotme do të mbahet një takim i komisionit të caktuar për parandalimin e përhapjes së coronavirusit dhe se aty do të shqyrtohet zbatimi i masave të vëna nga Qeveria.

“Në ora 12.30 ka takim komisioni i posaçëm për parandalimin e përhapjes. Besoj aty do ta shqyrtojnë mbarëvajtjen e masave. Por definitivisht vlen edhe për sektorin privat”, tha Vraniqi për IndeksOnline.

Ndryshe Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon bashkë me Malin e Zi, pa ndonjë rast të të prekurve me coronavirus.