Gastronomët kërkojnë lirimin e masave: Rreth 11 mijë persona e kanë humbur vendin e punës

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë se diku rreth 11 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës në këtë sektor si pasojë e pandemisë.

Arian Vranica, zyrtar i kësaj shoqate tha që gjendja e sektorit të gastronomisë, pasi sipas tij gati 90% e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë.

“Gjendja e sektorit të gastronomisë deri më tani është mjaft shqetësuese, sipas raportimeve dhe hulumtimeve të realizuara nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ne kemi 89% të bizneseve që kanë punuar me humbje të thellë deri në tetor të vitit 2020 ku 11% prej tyre kanë qenë të vetëm që kanë mund të kenë një lloj rentabiliteti”, tha Vranica, raporton EO.

Mes tjerash Vranica tregoi edhe publikimet e disa të dhënave, ku më shumë se 64% kanë pasur rënie.

“Duke i konstatuar të dhënat publike kemi pasur më shumë se 64% rënie dhe kjo është mjaft sfiduese për neve, sidomos duke pasur parasysh edhe mos mbështetjen me politikat fiskale pastaj kemi edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike e cila zgjati më shumë se 5 muaj”, u shpreh Vranica.

Ai tha që nuk është e nevojshme të vazhdohet me të njëjtat masa pasi numri i infeksionit ka rënë dukshëm.

“Numri i infeksionit ka rënë dukshëm, këto nuk përbëjnë asnjë arsye më shumë që të vazhdohet me të njëjtat masa mirëpo duhet të jemi më konstruktiv drejt lirimit të masave dhe tejkalimit të kësaj krize me pasoja sa më të vogla”, tha mes tjerash Vranica.

I pyetur për kërkesat e tyre dhe mundësinë e ndonjë proteste Vranica tha që kërkesat e tyre nuk do t’i ndalin.