Gazeta italiane: Amir Rrahmani, muri kosovar

Mediumi italian, deliquentidelpallone, e ka publikuar një artikull të veçantë për qendërmbrojtësin kosovar të Hellas Veronas, Amir Rrahmanin, duke e lavdëruar atë për aftësitë e tij në repartin e mbrojtjes.

Në fillim të këtij kampionati, përveç liderit Interit, është edhe një tjetër skuadër që e ka pranuar vetëm një gol këtë sezon nga loja e hapur. Çuditërisht, ajo skuadër është Hellas Verona, transmeton Gazeta Express.

Portieri Silvestri është dashur ta marrë topin nga rrjeta katër herë nga pesë ndeshjet, megjithatë tri prej këtyre golave erdhën nga ndërprerjet, shkruan deliquentidelpallone.

Goli i vetëm nga loja e hapur ishte goli i shënuar nga Aaron Ramsey në disfatën me rezultat 2:1 të Veronës kundër Juventusit. Një fakt interesant që e dëshmon punën e bërë nga drejtuesit e klubit, veçanërisht shkaku i një blerjeje që u bë këtë verë.

Ne po flasim për Amir Rrahmanin, qendërmbrojtësin dhe kapitenin 25-vjeçar të Kombëtares së Kosovës. Një blerje e qëlluar që i solli mbrojtjes së Veronës përvojë, fuqi fizike dhe cilësi.

Rrahmani kishte lindur në Prishtinë më 24 shkurt të vitit 1994. Deri këtë verë, karriera e tij ishte zhvilluar në zonën e Ballkanit, duke i veshur fanellat e Drenicës, Partizanit të Tiranës, Lokomotiva Zagrebit dhe Dinamo Zagrebit.

Pasi luajti me grupmoshat e Kombëtares së Shqipërisë, Amir Rrahmani vendosi në vitin 2016 t’i zgjedhë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës, një skuadër që është duke e shkruar vetë historinë e saj.

Përtej aftësive të tij të shfaqura në fushë, ku përfshihet edhe aftësia e mirë për të shënuar me kokë, Amir Rrahamani, muri kosovar, është duke mbrojtur me përkushtim dhe duke tentuar t’ia kthejë lavdinë Hellas Veronës.